Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi thotë se partitë politike duhet të paraqesin në listën shumëemërore, sipas rregullores 153 emra. Ai tha në emisionin “Ilva Now” në Euronews Albania se çdo parti në listën shumëemërore për një qark numri i kandidatëve nuk duhet të jetë më i vogël se numri i mandateve.
Sipas tij, ky është rregulli i parë, të cilit i shtohen edhe dy mandate, por shtimi i këtij numri tha ai dihet te jetë në çdo rast i plotpjesëtuar me tre.
“Në lidhje me numri 177 apo numra të tjerë. Unë kam bërë një sqarim, i cili konstaton në interpretimin e Komisionerit Shtetëror mbi numrin e kandidatëve në listën shumëemërore që duhet të paraqesë një parti politike për çdo qark, që po ta mbledhësh në total 153. Kodi Zgjedhor ka përcaktuar se numri i kandidatëve në listën shumëemërore që duhet të paraqesë një parti për një qark nuk duhet të jetë më i vogël se numri i mandateve, kushti i parë, shtohen dy, por në çdo rast duhet të jetë i plotpjesëtuar me tre", theksoi ai.
Ai theksoi se ka qarqe zgjedhore në Shqipëri, që ky rregull nuk mund të aplikohet. Për ta konkretizuar ai mori shembullin e qarkut të Tiranës i cili ka 36 mandate.
Sipas formulës, këtij numri i shtojmë dhe dy mandate dhe totali del 38, por numri i përftuar nuk plotëson kushtin e tretë të plotpjesëtimit me tre dhe për pasojë partitë politike duhet t’i përmbahen kësaj rregulloreje.
“Ka qarqe që numri i tyre nuk plotpjesëtohet me tre. Numri i kandidatëve në listën shumëermerore duhet të plotpjesëtohet me tre, ky është rregulli dhe kushti i panegociueshëm por nga ana tjetër ti nuk mund të sjellësh sa të duash, ka përcaktuar sa është ky numër”, tha ai.