Si mund të votojnë qytetarët dhe kur rrezikohet që vota e tyre të shpallet e pavlefshme?

Shqipëria

Si mund të votojnë qytetarët dhe kur rrezikohet që vota e tyre të shpallet e pavlefshme?

Më: 10 mars 2021 Në ora: 22:15
Ilva Tare

Në emisionin “Ilva Now” në Euronews Albania, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi sqaroi me gazetaren Ilva Tare se në cilat raste do të konsiderohet vota e vlefshme dhe në cilat e pavlefshme.

Celibashi saktësoi se ende fleta e votimit nuk është miratuar dhe mbetet në diskutim nëse do të shoqërohet me numra apo emra kandidatësh. Megjithatë ai nxitoi të theksojë se përpara procesit të votimit nga KQZ-ja do të ketë një fushatë informimi të gjerësishme.

Nëse fleta e votës është me kandidatë të listuar me numra

Nëse votohet vetëm për një parti pa shënjuar në anën tjetër për kandidatë, vota konsiderohet e vlefshme dhe shkon për partinë.

Nëse votohet vetëm për një kandidat pa shënjuar për një parti, vota konsiderohet e pavlefshme sepse numri për kandidatin “konsiderohet se nuk thotë asgjë”.

Nëse votohet për një parti dhe shënjohen emrat për dy kandidatë, vota konsiderohet e vlefshme vetëm për partinë.

“Preferencën [për kandidatin] do të duhet ta shprehësh brenda zgjedhjes politike fillimisht [më pas kandidatin], do të zgjedhësh trenin kur do hysh, pastaj vagonin zgjidhe ku të duash, pra do ndash njëherë trenin do të shkosh në Rrogozhinë apo në Shkodër,” – tha Celibashi. 

Nëse fleta e votës është me kandidatë të listuar me emra

Nëse zgjedh vetëm emrin e kandidatit, pa shënjuar për partinë, vota konsiderohet e vlefshme dhe shkon edhe për partinë edhe për kandidatin.

Nëse votohet për një parti dhe shënjohen emrat për dy kandidatë, vota konsiderohet e vlefshme vetëm për partinë.

Nëse voton për një parti dhe shënjon si parapëlqim për një kandidat të një partie tjetër, vota konsiderohet e pavlefshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat