Një ngjarje e rëndë raportohet të ketë ndodhur në një fshat të Ersekës, përgjatë një jave, ku një i ri dyshohet se ka abuzuar seksualisht me një vajzë 17-vjeçare, të cilën fillimisht e ka detyruar të përdorë lëndë narkotike.
Burimet thanë se 26- vjeçari me iniciale O.M., i cili është arrestuar të martën nga shërbimet e Komisariatit Nr.1 në bashkëpunim me Komisariatin e Kolonjës, akuzohet për “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur të moshës 14-18 vjeç” dhe “Nxitja për përdorimin e drogës”.
Ngjarja për të cilën ai akuzohet, dyshohet se ka ndodhur nga data 21 shkurt, deri më datë 1 mars, në fshatin Kamnik të Ersekës, ku shtetasi O.M., kishte qëndruar me vajzën 17-vjeçare, të cilën në Polici ka pretenduar se e kishte të dashur.
Përgjatë kësaj jave, pra nga data 21 shkurt, deri në datën 1 mars 2021, i dyshuari ka qenë në një banesë në fshatin Kamnik të Ersekën së bashku me të miturën, të cilën e ka përdhunuar dhe e ka detyruar të konsumojë drogë.
Sipas përshkrimit që i ka bërë adoleshentja lëndës narkotike që është detyruar të përdorë, dyshohet se ka qenë dy lloje, kokainë dhe marijuanë.
E mitura, në kallëzimin që ka bërë në Komisariatin e Policisë, e ka përshkruar drogën si në formë pluhuri të bardhë dhe një lloj tjetër si gjethe. Ajo ka deklaruar se 26-vjeçari me iniciale O.M., e ka detyruar që të konsumojë të dy llojet e lëndës narkotike, atë si gjethe, e mitura thotë se e ka konsumuar si cigare, ndërsa pluhurin e bardhë e ka marrë nga hunda.
Burimet thanë se vajza ka qenë nën efektin e lëndëve narkotike, kur është detyruar të kryejë marrëdhënie seksuale jashtë dëshirës së saj me 26- vjeçarin, tashmë të arrestuar.