Mbërrijnë sot në Shqipëri 38,400 dozat e para të vaksinës anti-Covid, prodhuar nga kompania “AstraZeneca”.
“LAJM I MIRË Pasnesër mbërrijnë 38 400 DOZAT E PARA TË VAKSINËS ASTRAZENECA dhe nisim menjëherë vaksinimin e mësuesve”, do të njoftonte në Facebook para dy ditësh kryeministri Edi Rama.
Këto vaksina do të shfrytëzohen për të vaksinuar mësuesit.
Procesi do të nisë të shtunën me mësuesit e Tiranës. Nga ana e institucioneve kanë nisur përgatitjet.
Në total pritet ti nënshtrohen këtij procesi rreth 30 mijë mësues.
“Lajmi i mirë është se 38,400 vaksina të AstraZeneca, nëpërmjet mekanizmit Covax pritet të mbërrijnë nesër në Shqipëri, ndërsa mbi 9 mijë doza nga Pfizer mbërrijnë të hënën”, do të shkruante dje ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu.
Ditën djeshme, sipas raportimit të Ministrisë së Shëndetësisë, janë kryer 1080 vaksinime anti-Covid dhe që nga fillimi i procesit janë kryer në total 22,693 vaksinime.