Kreu i departamentit të Shëndetësisë në Partinë Demokratike, Gazment Koduzi në një intervistë për RTV Ora ka folur më shumë në lidhje me procesin e vaksinimit në vend.
Koduzi ka thënë se jemi ende shumë vonë me vaksinimin, ku sipas tij për të arritur imunitetin e tufës në Shqipëri, rreth 7-% e popullit duhet të ketë marrë dozat e vaksinës.
Koduzi: Që të diskutosh mbi një vaksinë duhet të kesh evidenca shkencore. Ne dimë që AstraZeneca është një vaksinë e licencuar si nga autoritetet përkatëse në Angli edhe nga EMA në Europë. Këto vende gjatë procesit të vaksinimit kanë vërejtur diçka, ndaj është ndaluar. Në Norvegji dhe në Suedi pati probleme, pati edhe vdekshmëri të lartë, duke e ndërprerë për një moment dhe duke e vazhduar.
Është e rëndësishme që kjo vaksinë edhe krijuar nga institucione prestigjioze si Oxford dhe Astrazenca. Sigurisht që ka kaluar në një proces rishikimi rigoroz që i ka bërë hapat sipas protokolleve. Mendoj se është diçka e sigurtë dhe nuk ka asgjë për t’u shqetësuar për këtë punë.
-Si e shikoni procesin e vaksinimit në Shqipëri?
Koduzi: Procesi i vaksinimit në Shqipëri është shumë vonë dhe pak. Në krahasim me Serbinë i kemi marrë vaksinat me vonesë dhe është shumë pak. Aktualisht me 30 mijë dozat e para janë për 15 mijë persona. Vetëm personeli shëndetësor nuk është vaksinuar i tëri dhe me këtë rast i shpreh ngushëllimet familjarët të kolegëve mjekë, aq më tepër që sot ka humbur jetën një mik dhe koleg i dashur i joni, Gerondi. Ajo që duhet të ishte parësore për qeverinë duhej të ishte vaksinimi i të gjithë personelit shëndetësor, mjekëve, infermierëve dhe sanitarëve që punojnë në institucione shëndetësore dhe më pas të kalojnë te kategoritë e tjera.
Sigurisht që fillimi i vaksinimit të mësuesve është diçka e mirë, sepse do të bëjë të mundur rikthimin nëpër shkolla dhe universitete. Po të shikojmë shifrat, ato flasin. Aq sa janë bërë te ne, me shifra rreth 15 mijë veta, janë diku te 0.5% të popullatës, ndërkohë që vaksinat janë një mjet mbrojtës nëpërmjet të cilit do të krijojmë imunitetin e grupit apo tufës. Që të krijohet imuniteti i tufës duhet të jemi të 60-70%, duke marrë parasysh edhe numrin e imunitetit natyral të të infektuarve, është diku të 30%. Ne na nevojitet edhe një 40% i popullatës që të vaksinohet për të cilin duhen 3 milionë doza.