Ish-deputetja socialiste Valentina Leskaj ka reaguar përmes një postimi në rrjete sociale rreth dy javë pasi humbi bashkëshortin nga Covid-19.
Leskaj rrëfen se nuk është përgjigjur për shkak të rrethanave të vështira dhe gjendjes shëndetësore, por falenderon të gjithë ata që i dërguan mesazhe ngushëllimi.
Ndër të tjera thekson se mbështetja e tyre i ka dhënë forcë të përballojë humbjen e bashkëshortit.
Shkrimi i plotë
Të dashur miq, kolegë e dashamirës,
Në këto ditë të vështira të humbjes së bashkëshortit tim të dashur, babait e gjyshit të shtrenjtë të fëmijëve të mi, njeriut që na bën krenar për vlerat njerëzore dhe emrin që la, Astritit, dua të shpreh një falenderim zemre dhe mirënjohje të thellë për të gjithë ju, që me telefonatat e mesazhet e ngushëllimit, të ardhura nga çdo cep i Shipërisë e përtej kufijve të saj, na dhatë mbështetje të madhe.
Situata e vështirë shëndetësore që kalova, më pengoi t’u përgjigjesha menjëherë mesazheve tuaja, po unë besoj se falenderimi dhe mirënjohja nuk kanë të bëjnë me kohën, ato janë aty, brenda zemrave tona pavarësisht nga rrethanat e vështirësitë fizike.
Mbështetja juaj më ka dhënë mua dhe gjithë familjes, forcë dhe kurajo për të përballuar humbjen, të cilën do ta kishim më të vështirë pa mbështetjen tuaj të jashtëzakonshme.
Lus me zemër të keni vetëm gëzime e mirësi në familjet tuaja, sikurse uroj më të mirën për çdo familje shqiptare në këto ditë të vështira të pandemisë.
Faleminderit nga zemra.