Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ka reaguar pas thirrjeve “Rama ik” në Elbasan, ku pati edhe përplasje mes militantëve të PS dhe PD. Sipas saj, Rama i ikur është, por ajo që ka rëndësi për opozitën janë qytetarët.
“Në Elbasan e kishin pritur me “Rama ik”, por ne nuk e kemi hallin aty, sepse ai ikur është, por kemi hallin e qytetarëve”, tha Kryemadhi.
Nga Memaliaj, ku Kryemadhi prezantoi kandidatin për deputet, Albert Malaj, u shpreh e bindur se në 25 prill opozita e bashkuar do të fitojë.
Kryetarja e LSI u shpreh se nuk diskutojnë votën e 25 prillit, por angazhimet që duhet të kenë pas kësaj date.
“E kemi nisur me një frymë të jashtëzakonshme, që është një frymë që ne e ndjejmë, e shikojmë me njerëzit e thjeshtë, edhe pse janë nën kërcenim, e shikojmë tek policia dhe administrata të cilët janë në presion. Por vetë njerëzit e kuptojnë që ky tranzicion duhet të marrë fund. Një kombi po i shkatërrove origjinën, themelet e shtëpisë i kë shkatërruar shtëpinë.
Ne nuk diskutojmë votën e 25 prillit, por angazhimet pas 25 prillit që të çojmë deri në fund detyrimet tona”, u shpreh ndër të tjera Kryemadhi.