Ish-numri 2 i Operacionit Forca e Ligjit, Artan Shkëmbi, nuk provohet të ketë kryer veprën penale të korrupsionit.
Me këtë arsyetim, SPAK ka shpallur moskompetencë për hetimin e dosjes së ish-zyrtarit të lartë të Policisë së Shtetit, i cili akuzohet për dekonspirimin e një operacioni që do të kryhej nga Gjermania.
Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit po kryente hetime për Shkëmbin që prej muajit shtator të vitit të kaluar, kur ai u pezullua nga detyra. Pezullimi i Artan Shkëmbit erdhi pas një informacioni të mbërritur nga drejtësia gjermane, e cila kishte kërkuar hetim dhe bashkëpunim për dy trafikantë shqiptarë, Aleksandër Prronin e Klaudio Vukajn.
Sipas informacionit nga gjermanët, trafikantët janë lajmëruar nga Shkëmbi se ishin vënë në hetim për verifikimin e pasurisë. Pas hetimeve të SPAK, GJKKO vendosi më 28 shtator pezullimin e tij. Autoritetet gjermane kërkonin informacione në Shqipëri për një grup kriminal dhe kuptuan se banda informohej nga zyrtari i lartë i Policisë.
HETIMI NE GJERMANI
Procedim penal ndaj Shkëmbit u regjistrua pas referimit nga Ambasada e Republikës Federale të Gjermanisë të informacionit të marrë nga zyra e oficerit ndërlidhës të kësaj ambasade në Shqipëri. Sipas këtij informacioni që mban datën 09.09.2020, rezulton se në Gjermani po hetoheshin dy shtetas shqiptarë të dyshuar për import të paligjshëm kokaine.
Në kuadër të hetimit që po zhvillohej në Gjermani është konstatuar se të dyshuarit janë informuar për hetimet në ngarkim të tyre, informacion që dyshohet të jetë përcjellë nëpërmjet një punonjësi të Policisë së Shtetit dhe një personi të afërt të tij. Sipas këtij informacioni, ekziston dyshimi që punonjësi i Policisë së Shtetit iu ka dhënë rregullisht informacione, në mënyre indirekte, nëpërmjet personit të kontaktit apo edhe direkt anëtarëve të grupeve kriminale.
Në këto rrethana, në kuadër të bashkëpunimit, oficeri ndërlidhës ka kërkuar nga autoritetet shqiptare identifikimin e punonjësit dhe nisjen e një hetimi për të verifikuar nëse është konsumuar vepër penale në mbështetje të një organizate kriminale apo grupi të strukturuar kriminal. Prokuroria e Hamburgut në Gjermani po kryen hetime në ngarkim të shtetasve shqiptarë Aleksandër Prroni e Klaudio Vukaj, si dhe ndaj personave të tjerë të dyshuar për trafik të paligjshëm të kokainës, duke importuar në Gjermani sasi të konsiderueshme.
Autoritetet gjermane, në bashkëpunim me ato shqiptare, i kanë përcjellë palës shqiptare më datë 19.03.2020 kërkesën për verifikimin e pasurive të zotëruara nga shtetasit Aleksandër Prroni e Klaudio Vukaj, në Shqipëri, si dhe verifikimin e të dhënave të tjera të vlefshme për hetimin pasuror apo hetimin penal.