Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha vizitoi sot një fasoneri në qytetin e Shkodrës, nga ku u angazhua për rritjen në 300 euro të pagës minimale.
Kryedemokrati theksoi se paga nuk rritet me dekret nga kryeministri, por duke e rritur ekonominë dhe duke ndihmuar sipërmarrjen.
“Ta shtyjmë në 25 prill. Na ndihmoni që t’ju ndihmojmë! Të keqen me e heq. 8 vite me radhë e ka lënë karrocën në baltë. 8 vite me radhë Edi Rama dhe qeveria e tij ka premtuar mrekulli. Premtoi se do ta ulëte taksën për 97 për qind të shqiptarëve, kur taksat janë rritur. Nafta e Shqipërisë është më e shtrenjta në botë pas Singaporit. Ne e kemi në planin tonë, rritja e pagës minimale me 300 euro. Por paga nuk rritet me dekret. Pagën e rrit ekonomia. Sipërmarrësit duhet ta zhvillojnë biznesin e tyre që të mundësojnë rritjen e pagës”, tha Basha.
“400 mijë e kusur shqiptarë kanë ikur në azil, bijtë tuaj, që unë e di ju dhemb zemra. çdo nëne i dhemb zemra, unë me studime kam qenë dhe e di çfarë ka hequr nëna ime. Jo më të ikësh në kushte dëshpërimi nga shtëpia dhe familja. Atëherë si rriten pagat? Rriten pagat kur ndihmohet ekonomia, kur trajtohen të gjithë njësoj para ligjit, jo disa oligarkë si të nënës që hanë e pijnë me kryeministrin dhe 99 për qind e sipërmarrësve trajtohen si të njerkës. Së dyti e ndihmon kur e bën konkurruese me rajonin, prandaj do ta vendosim taksën e sheshtë 9 për qind”, vijoi kryedemokrati.