Një debat i madh ka përfshirë shumë shtete lidhur me përdorimin e vaksinës AstraZeneca. Një pjesë e shteteve e kanë pezulluar, ndërsa pjesa tjetër ku përfshihet edhe Shqipëria vijojnë injektimin e dozave.
Por çfarë thonë mjekët?
Mjeku i njohur Tritan Kalo e cilëson gjithë debatin politik, ndëshkim për Britaninë post-BREXIT, pasi sipas tij vaksina AstraZeneca është po aq efikase sa edhe Pfizer.
“Së pari është katër herë më e lirë se Pfizer- Biontech, së dyti ruhet si vaksinat e tjera dhe jo në -80 gradë si Pfizer-Biontech, së treti është pothuajse po aq efikase sa vaksina e Pfizer-Biontech…Në mbyllje, është thjesht një ndëshkim i Britanisë post-brexit…. Politikë përtej arsyes e nevojave njerzore” thotë doktori i njohur.
Epidemiologu Alban Ylli, që u bë pjesë e Komitetit Teknik të Ekspertëve po ashtu i kontaktuar nga Abcnews.al e cilësoi humbje kohe vendimin e shumë vendeve të BE-së për të pezulluar vaksinën AstraZeneca.
“Humbje kohe, jemi në një situatë të pazakontë për ne kryesorja është që të sigurojmë sa më shumë vaksina” tha ai. I pyetur në lidhje me masat anti-covid, se cili është mendimi i tij nëse duhet të shtrëngohen, Ylli u shpreh se “Besoj se duhet të qëndrojnë në fuqi të njëjtat masa që janë” përfundoi ai.
Kush po i prodhon vaksinat e AstraZeneca?
Vaksina u zbulua nga një ekip nga Universiteti i Oksfordit dhe kompania farmaceutike Britanike-Suedeze AstraZeneca. Ekipi hulumtues përfshin shkencëtarë nga Instituti Jenner dhe Grupi i Vaksinave të Oksfordit.