Kandidati i Bindjes Demokratike për qarkun e Tiranës, Fabian Topollaj, tha se çështja e të rinjve në politikë nuk duhet parë si çështje moshe, por çështje koncepti dhe mendësie.
Sipas tij, ka pasur një disproporcion mes mbështetjes që u është dhënë të rinjve në politikë me rezultatin që ata kanë dhënë.
Për z. Topollaj të rinjtë e partive të mëdha, trashëgimtarë të paraardhësve të tyre kanë ardhur në degradim duke u shndërruar në servilë të kryetarit.
“Nano ka pasur probleme si lider, por ishte më liberal dhe Rama si pasardhës i tij është në regres të dukshëm. Pasardhësit e Ramës më duken më keq se Edi Rama. Një prej tyre ishte Sajmir Tahiri. Nëse Rama e ktheu në politikë kanabizimin e vendin, Tahiri e bëri vetë.
E njëjta gjë edhe në PD, Berisha ka pasur shumë probleme, por Basha është shumë më i dobët. Salianji që u promovua nga Basha në politikë është më rëndë akoma. të rinjtë e partive të mëdha kanë ardhur ne degradim, pasi janë bërë servilë dhe kopje të kryetarit. Duhet mendim i ri në politikë, nuk ka rëndësi mosha”, tha z. Topollaj.