Analisti Redi Shehu tha se gjuha e ashpër dhe konfiktualiteti që po shoqëron këtë fushatë zgjedhore është në vazhdën e një lloj ‘tradite’ dhe normaliteti në 30 vjet pluralizëm në Shqipëri, që sipas tij të vetmin produkt ka pasur konfliktualitetin dhe skandalin.
Konflikti sot, sipas tij, i intereson të tria palëve, PS, PD dhe LSI.
“PS-së i intereson konflikti deri në ditën e zgjedhjeve për të mobilizuar elektoratin në mënyrë që të marrë të paktën atë rezultat që mori në 2017. Por dita e zgjedhjeve për PS ka nevojë të jetë një ditë korrekte në mënyrë që të legjitimojë fitoren.
Ndërsa PD dhe LSI u intereson konflikti të vazhdojë dhe ditën e zgjedhjeve edhe më pas, edhe ata e duan për të homogjenizuar elektoratin dhe pastaj për delegjitimuar procesin”, tha z. Shehu.
Sipas analistit, e vetmja shpresë se ky konfliktualitet do të ndryshojë është tek mentalitetet e reja, tek të rinjtë që përfshihen në politikë dhe tek partitë e reja.
“Kur ushtron presion pas presioni, të rinjtë duhet të adaptohen me këtë, ose të bëjnë forcë të re politike ose të marrin pushtetin”, tha z. Shehu.