Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ditën e sotme në orën 18:00 të pasdites pritet të vendosë nëse do të lejojë apo jo Tom Doshin të kandidojë për deputet në zgjedhjet e 25 prillit.
Ndërkohë, KQZ ka thënë më herët se kërkesës së Ambasadës amerikane për mos lejimin e Tom Doshit që të marrë pjesë në zgjedhje, do t’i përgjigjet në bazë të legjislacionit shqiptar.
“Do ta bëjmë të gjithë vlerësimin e dokumentacionit të paraqitur, ashtu sikurse e ka përcaktuar Kodi Zgjedhor, por edhe ligji për dekriminalizimin. Nuk kemi asnjë lloj hezitimi për askënd” ka deklaruar Celibashi .
Por ambasadorja amerikane ka kërkuar nga KQZ dhe prokuroria që të mos lejohet kandidimi i personave që janë në listën e zezë të DASH, mes tyre edhe Tom Doshi, që garon për një mandat deputeti në qarkun e Tiranës dhe Durrësit.
Rreth 2000 kandidatë të 13 subjekteve të regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhje do të kalojnë në flitrin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Për çdo rast të veçantë pasi ka shqyrtuar formularin e dekriminalizimit, Komisioneri Shtetëror nëse do të ketë indicie për një emër të caktuar, atëherë do t’i drejtohet Prokurorisë për informacion të thelluar.
Bëhet me dije se Komisioneri Shtetëror do të shqyrtojë formularët e personave që janë të përfolur publikisht.
Ndërkohë sot KQZ i dha ‘ok’ kandidatit të VV, Boiken Abazi për të garuar me 25 prill.