Të tjera detaje janë zbardhur nga aksidenti i mbrëmjes së djeshme, në kryqëzimin e Dajçit, ku viktimë mbeti 55-vjeçari Eduard Grishaj.
Mësohet se Grishaj ishte edhe studiues dhe ka pasur një kontribut në demonstratat antikomuniste të 2 prillit.
Për ngjarjen ka reaguar edhe ish-deputetja e PD, Izmira Ulqinaku, e cila në një postim në Facebook shkruan:
“Ngushëllime familjes Grishaj për ndarjen nga jeta, në mënyrë tragjike të familjarit model!
Studiuesi Eduard Grishaj ishte një qytetar i nderuar shkodran, një intelektual, që nuk do harrohet kurrë për kontributin e tij në demonstratën antikomuniste të 2 prillit e në pasurimin e memories kulturore të qytetit. Lavdi e mirënjohje!”
SI NDODHI AKSIDENTI
Grishaj ishte drejtuesi i makinës tip “Benz”, e cila si pasojë e përplasjes së fortë u fut e gjitha poshtë kamionit.
Nga informacionet e siguruara nga “Panorama” bëhet e ditur se 55-vjeçari ndërroi jetë në vend, por u desh më shumë se një orë për nxjerrjen e makinës nga kamioni e më pas nxjerrjen e trupit të pajetë.