Një ditë pasi kërkoi “timonin” e 2017-ës, Rama flet për votimin e ‘zanatçinjve’

Shqipëria

Një ditë pasi kërkoi “timonin” e 2017-ës, Rama flet për votimin e ‘zanatçinjve’

Më: 20 mars 2021 Në ora: 15:34
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama nga qyteti i Kukësit, në një prezantim të kandidatëve të PS për deputetë në këtë qark, tha se sot nuk duhet të jetë më koha e fanatizmit politik, por koha e prakticitetit. Duke bërë një krahasim me skuadrën e kandidatëve të opozitës, Rama u bëri thirrje qytetarëve që të votojnë “zanatçiun që ua bën punën më mirë”.

Duke bërë një krahasim me ndeshjet dhe skuadrat e futbollit, shefi i qeverisë tha se militantizmi për partitë politike nuk duhet të jetë si tifozeria për një skuadër futbolli, që edhe nëse humb, “nuk ndikon jetën tënde”.

“Këtu jemi në Kukës e këtu ka një tifozllëk të verbër për Kukësin e futbollin e mund ta bëjmë lehtësisht kahasimin e dallimin, të jesh tifoz i verbër në ato 90 minuta kur luan skuadra jote s’ka asnjë problem, ama mbarojnë ato 90 minuta jeta vazhdon dhe në ate pjesë të jetës që vazhdon s’mund të jesh tifoz i një partie apo partie tjetër sikur je tifoz i një skuadre futbolli, se Kukësi mund të humbasë me Barceonën e kjo s’e ndikon jetën tënde, por një parti që bën që ti të humbasësh shanse, kohë e vite ndikon jetën tënde“.

Një ditë pasi Kryeministri Rama, foli për “timonin”, një nga elementët më të rëndësishëm të fushatës së tij në 2017-ën dhe tha se timonin që populli ia dorëzoi para katër vitesh ai do që ta mbajë përsëri, sot u kërkoi qytetarëve të votojnë “zanatçinjtë”.

“Njeriu kur voton duhet të bëjë një zgjedhje dhe është njësoj si të zgjedhësh një hidraulik kur ke probleme me rubinetin në shtëpi apo me elektricistin kur ke problem dritat apo me marangozin kur do të bësh derën e shtëpisë, apo me çdo zanatçi tjetër kur ke nevojë për një shërbim.

Ti përpiqesh të zgjedhësh atë që ta bën më mirë atë punë nuk nisesh me kë është.

Nuk thua elektriçisti më duhet por është i partisë tjetër kështuqë unë për dritat po marr një rrobaqepës se është i partisë time, ti merr atë që ta bën shërbimin më mirë, kështu duhet të ndodhë”.

“E nëse shohim skuadrat tona edhe këtu në Kukës, është habi e madhe si mund të zgjidhet skuadra tjetër, s’dua të hyj në emra se dalin e teprojnë ata që janë udhqëheqja e asaj skuadre konglomerat që kemi përballë që nga Saliu, te Iliri, Monika, Mediu, Idirizi, Gon Duka, Mesila, Nard Ndoka, Paloka ku shkohet me gjithë këta emra, hata e madhe vetëm për punë s’janë se po të ishin do kishin treguar që dinë të bëjmë punë kur kanë pas gjë në dorë.

Dakort për të pirë një gotë me ullinj natyrisht që Dash Shehi është i lezetshëm por deri te gota e dytë se po ndenje te gota e tretë nuk kuptohet më asgjë”, ironizoi Rama kadidatët e opozitës për deputetë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat