Komisioni Qendror Zgjedhjeve ka publikuar formularët e vetëdeklarimit, për 1842 kandidatët për deputet në zgjedhjet e 25 prillit. Euronews Albania ka evidentuar se tek dokumentet e depozituara në KQZ, dalin në pah disa gabime në drejtshkrim, apo edhe mangësi në vetëdeklarim.
Kryeministri Rama ka lënë pa përgjigje njërën nga pyetjet e formularit, ndërsa kreu i PD Basha nuk ka deklaruar të dhëna të plota. Në pyetjen e 8 në formular, ku kërkohet të dihet nëse kandidati për deputet ka jetuar për më shumë se 1 muaj jashtë Shqipërisë kryeministri Rama i është përgjigjur me “jo”.
Ky deklarim i Ramës në formular rrëzohet edhe nga CV bashkëngjitur, pak rreshta më poshtë ku thuhet se pas rrëzimit të regjimit komunist ai shkoi të jetonte për disa vite në Francë. Ndërsa mangësia për Bashën, ka të bëjë me adresat e banesave për 7 vitet kur ka jetuar në Utreht të Holandës dhe për 4 vitet që ka jetuar dhe punuar në Prishtinë.
Por, edhe në formularët e kandidatëve të tjerë për deputetë vërehen gabime drejtshkrimore, gjithashtu edhe paqartësi në atë që kanë deklaruar, pasi një pjesë e madhe e tyre e kanë plotësuar me shkrim dore.
Pavarësisht mangësive të vërejtura formularët e vetëdeklarimit të kandidatëve për deputetë, janë pranuar nga KQZ.