“Edi Rama dhe qeveria e tij kanë prishur një monument të kulturës së dorës së dytë,” u shpreh Vokshi.
Për Partinë Demokratike me këtë veprim mazhoranca po shkatërron monumentet e trashëgimisë kulturore pa asnjë mendim.
Albana Vokshi në deklaratën e dhënë pranë ndërtesës që dikur ishte “Materniteti Geraldinë”, shprehet se edhe vetë Rama ka firmosur për ta vendosur në mbrojtje.
“Kjo ndërtesë është pjesë e qendrës historike të kryeqytetit me mbrojtje të posaçme. Për këtë ka firmën e vet edhe kjo qeveri dhe ky kryeministër,” thotë ajo.
Abuzimet sipas saj janë dhe me kompaninë që ka bërë projektin e ndërtesës së re.
“Shikoni tabelën se kush është projektues, është firma që bën çdo projekt të Edi Ramës dhe të qeverisë së tij. Shikoni ndërtuesin, është i njëjti që i ka ndërtuar vilën luksoze Erion Veliajt dhe për të cilën ai kurrë nuk ka thënë se ku i ka gjetur paratë. Janë të njëjtët që projektojnë dhe ndërtojnë në Tiranë veprat e korrupsionit të Edi Ramës dhe të Erion Veliajt. Janë gati 7 milionë euro beton që janë parashikuar të hidhen në këtë godinë, pa ruajtur identitetin e saj historik,” vazhdoi Vokshi.
Për opozitën nëse materniteti ishte dëmtuar nga tërmeti do të duhej që godina e re të ishte si e vjetra.