Mjaftuan pak reshje dëbore pranverore për të bllokuar Rrugën e Kombit, një arterie kryesore për lidhjen me pjesën veriore, verilindore dhe Kosovën. Vonesa e kompanisë për pastrimin e dëborës, por edhe problemet e disa makinave në qarkullim kanë shkaktuar kaos.
Të irrituar nga radhët kilometrike dhe pritja e gjatë e krijuar nga bllokimet, qytetarët e Shqipërisë, por edhe të Kosovës kanë “shpërthyer” duke shfryrë në rrjetet sociale me komente.
“Dështim total, bllokohet Rruga e Kombit për shkak të mungesës së borëpastrueseve.
Rruga e Kombit pa koment” janë disa nga postimet e qytetarëve në rrjetet sociale. Kjo nuk është hera e parë që ndodh një gjë e tillë me Rrugën e Kombit, duke përsëritur situatën e pak javëve më parë.
Autoriteti Rrugor Shqiptar kërkon nga drejtuesit e mjeteve që të tregohen të kujdesshëm përballë vështirësive që ndodhen për shkak të problemeve nga reshjet e dëborës.
E ndërsa në Rrugën e Kombit situata është jashtëzakonisht e vështirë dhe sipas drejtuesve të makinave rruga është bllokuar si pasojë e mungesës së borëpastrueseve, ARRSH thotë se kontraktorët janë në terren me mjete dhe punëtorë.
“Reshje me intensitet të lartë kanë filluar në Qafë Bualli-Bulqizë, në Qafë Qarri-Ersekë, akset e Dibrës dhe të Kukësit. Kontraktorët janë në terren me mjete dhe punëtorë ku po bëjnë pastrimin e rrugës nga bora dhe shpërnadrjen e kripës.
Por për shkak të reshjeve të dendura dhe erës së fortë të gjithë drejtuesit e mjeteve që duhen të kalojnë në këto akse të pajisen me goma dimri ose zinxhirë, të tregohen të kujdesshëm, të reduktojnë shpejtësinë, të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe udhëzimet e Policisë Rrugore” shkruan ARRSH.