Për Festën e Sulltan Nevruzit, kreu i Shtetit Ilir Meta vendosi të vlerësojë me dekoratën e lartë”Nderi i Kombit” institucionin e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë për kontributin e çmuar dhe të jashtëzakonshëm, promovimin dhe përçimin tek të gjithë qytetarët tanë, sidomos brezat më të rinj, të frymës, dialogut, tolerancës, bashkëjetesës, harmonisë dhe mirëkuptimit ndërfetar.
Në ceremoninë e mbajtur në Presidencë, Meta tha se roli i besimeve fetare është i pazëvendësueshëm në këtë moment për frenimin e largimit të të rinjve nga vendi.
Meta: Veçanërisht sot është shumë i rëndësishëm ky rol i pazëvendësueshëm i juaji sepse vendi ka më shumë nevojë se asnjëherë për kontributin dhe përkushtimin e të gjithëve, veçanërisht i më të rinjve tanë për të mos u larguar por për ta kërkuar dhe gjetur të ardhmen në atdheun e tyre në paqe dhe harmoni me njëri-tjetrin, për të krijuar mirëqënie dhe për të ndërtuar Shqipërinë tonë të përbashkët në frymën e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit.
Meta çmoi rëndësinë e komuniteteve fetare edhe në rrugën e integrimit të vendit, ndërsa apeloi edhe njëherë autoritetet shtetërore që tu kthejnë pronat.
Meta: Ju jeni tashmë edhe një faktor i rëndësishëm edhe për integrimin në familjen europiane, duke argumentuar gjithmonë se shqiptarët janë pjesë e vlerave dhe identitetit euroatlantik. Ne jemi të ndërgjegjshëm se do të duhet ende edhe shumë punë për përsosjen dhe konsolidimin e demokracisë dhe për rritjen e qëndrueshme dhe mirëqënien e gjithë shqiptarëve. Do të dëshiroja të theksoja edhe njëherë rëndësinë që merr kthimi i plotë dhe pa vonesë i pronave të të gjithë komuniteteve fetare si premisë e konsolidimit dhe vazhdimit të misionit tuaj të pazëvendësueshëm. Koha ka treguar se shoqëria jonë është bërë më e mirë falë punës tuaj të palodhur sepse morali dhe parimet tuaja qëndrojnë në themel të demokracisë, drejtësisë por edhe familjes dhe komunitetit.