“Për numrin e mjekëve të vdekur do të japësh informacion deri në një, kurse për shpërblimet e marra nga familjet e tyre deri në qindarkën e fundit”.
Ky është paralajmërimi që i adreson ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu eksperti i shëndetit publik Erion Dasho.
Përmes një postimi në Facebook, nën titullin “politikë me vdekjen apo fshehje pas patetizmit?!”, Dasho teksa i referohet një dalje publike të ministres, shprehet se, “mjekët e vdekur nuk janë ushtarë të vrarë në luftë bandash dhe shpërblimet që ti jep janë para të taksapaguesve dhe jo zarfa të Don Korleones!“.
“Nesër për mjekët e vdekur si pasojë e papërgjegjshmërisë suaj apo të stafit tuaj do të jepni llogari edhe para drejtësisë…“, paralajmëron Dasho.
Postimi i plotë i Erion Dashos:
POLITIKË ME VDEKJEN APO FSHEHJE PAS PATETIZMIT?!
Dalja televizive e Ministres Manastirliu në një emision televiziv u kthye në show-n patetik të radhës. E pyetur nga paneli se sa mjekë kanë humbur jetën ministrja i bëri bisht përgjigjes duke lënë të nënkuptohet se kjo është temë aq e dhimbshme për të sa që nuk preferon ta diskutojë. Më vonë u shty më tej me klishenë tashmë të njohur të “politikës me vdekjen”.
Kur gazetarët vendosën “ta blejnë” argumentin bajat të ministres dhe e pyetën në se familjarët e mjekëve të vdekur kanë përfituar ndonjë kompensim dhe sa është vlera e tij, përsëri ministrja nuk u përgjigj kësaj here me justifikimin e “mos përfoljes së ndihmës së dhënë”.
Zj. Ministre, Nëse nuk e keni kuptuar, ju nuk drejtoni një kartel mafioz ku kanë vend praktikat e Omertà-s! Mjekët e vdekur nuk janë ushtarë të vrarë në luftë bandash dhe shpërblimet që ti jep janë para të taksapaguesve dhe jo zarfa të Don Korleones!
Për numrin e mjekëve të vdekur do të japësh informacion deri në një, kurse për shpërblimet e marra nga familjet e tyre deri në qindarkën e fundit. Sot! Ndërsa nesër për mjekët e vdekur si pasojë e papërgjegjshmërisë suaj apo të stafit tuaj do të jepni llogari edhe para drejtësisë…