Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama me ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, kanë ndjekur nga afër procesin e vaksinimit të pedagogëve të parë në Tiranë në ambientet e Universitetit Politeknik.
“Ka filluar vaksinimi i pedagogëve ku sot vaksinohen këtu në Universitetin e Tiranës 200 pedagogë. Në tërësi janë vaksinuar mbi 12 mijë arsimtarë ose 30 për qind e mësuesve e kanë marrë dozën e parë të vaksinës ‘AstraZeneca’. Kemi arritur në një numër mbi 48 mijë vaksinime, ndërkohë që procesi po vijon”, ka thënë Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë ka thënë se me dozat e ardhura dje të vaksinave “Sputnik” do të vijojë vaksinimi i të moshuarve +80 vjeç, ndërkohë që në ditët në vijim pritet intensifikimi i procesit të vaksinimit.
“Me dozat që erdhën dje do të vijojmë vaksinimin e të moshuarve +80, duke ndjekur planin e vaksinimit. Në tërësi, bashkë me dozat e ardhura dje, kemi 90 mijë doza vaksine në total. Ndërkohë që presim që të na vijnë doza të tjera nga ‘Pfizer’ në ditët e para të prillit. Gjithashtu presim nga Covax edhe një sasi tjetër të ‘AstraZeneca’, deri tani kemi një të dhënë për 60 mijë deri në 80 mijë vaksina të ‘AstraZeneca’. Dhe po konkludojmë negociatat që kemi hapur për sa i përket edhe fillimit të vaksinimit masiv”, ka thënë Rama.
Që prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 48 215 doza të vaksinës kundër Covid-19 në Shqipëri.
Nga ky numër, janë kryer 27 872 vaksinime për personelin shëndetësor dhe stafet mbështetëse, 7 932 vaksinime për të moshuarit dhe 12 411 vaksinime për arsimtarët.