Anëtari i Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ledio Braho ishte i ftuari i gazetares Matilda Mcini në Ora News u ndal mbi vendimin e sotëm të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), i cili rrëzoi vendimin e KQZ-së për reduktimin e listës për kandidatë të Partisë Demokratike – Aleanca për Ndryshim nga 222 në 153.
“Ishte një ankim i koalicionit të Partisë Demokratike që lidhej me numrin në të cilin kishte vendosur vizën Komisioneri lidhur me numrin e kandidatëve. Partia Demokratike dhe koalicioni drejtuar nga ajo kishte depozituar një listë me 222 kandidatë në të gjithë Shqipërinë, ndërkohë që Komisioneri nuk vendosi as refuzimin, as miratimin e listës së depozituar nga PD, por vendosi ndryshimin e saj dhe përcaktimin e vizës në çdo qark sipas interpretimit që i bënte Komisioneri Shtetëror Zgjedhor.
PD e ankimoj këtë vendimmarrje, vendim ky që u gjykua sot nga KAS ku me shumicë votash u vendos që të pranohej ankimi i koalicionit të drejtuar nga PD dhe KQZ të pranojë listën e plotë.
“Është një vendim që bën një interpretim të Kodit Zgjedhor. Neni 67 i Kodit Zgjedhor që përcakton edhe detyrimin e partive politike apo koalicionet për të depozituar listat. Kjo dispozitë ka ndryshuar vetëm në vitin 2020 dy herë dhe në fakt në asnjë prej ndryshimeve, edhe pika 4, që është i debatueshëm numri i kandidaturave, është një numër minimal i përcaktuar që është sa numri i mandateve, shtuar me 2 dhe përpjesëtuar me 3 për shkak të barazisë gjinore. Por dispozita nuk përcakton një numër maksimal dhe ky ka qenë pretendimi kryesor i koalicionit drejtuar nga PD“, tha ndër të tjera Braho.
Kandidatë me numër apo me emër në fletën e votimit?
Ledio Braho: “Kjo është një çështje që është në kompetencën e Komisionerit Rregullator dhe Komisionerit Shtetëror Zgjedhor. Nuk di të ketë probleme në lidhje me këtë çështje megjithatë vendimmarrja e sotme e KAS mund ta ndërlikojë deri diku pjesën e miratimit të fletës sepse do të pritet edhe një vendim i Kolegjit Zgjedhor në rast ankimimi.
Deri dje kanë qarkulluar informacione që të gjitha partitë janë dakord që kandidatët të jenë me emra. Kjo sjell pozitivitet sa i përket procesit. Duke iu referuar Kosovës, sjell më pak fletë të pavlefshme, sjell një qartësi për votuesit. Zgjidhja më e mirë mendet ajo e kandidatit me emra.