Ambasadorja Yuri Kim flet për dhunën parazgjedhore dhe blerjen e votave: Shqiptarët nuk mund të mjaftohen me 100 euro, duhet të vlerësojnë votën e tyre

Shqipëria

Ambasadorja Yuri Kim flet për dhunën parazgjedhore dhe blerjen e votave: Shqiptarët nuk mund të mjaftohen me 100 euro, duhet të vlerësojnë votën e tyre

Më: 23 mars 2021 Në ora: 22:23
Ambasadorja e SHBA në Shqipëri Yuri Kim

Ambasadorja e SHBA në Shqipëri Yuri Kim ka deklaruar nga Shkodra në një intervistë ekskluzive për ABC, se dhuna para zgjedhjeve është përgjegjësi e liderëve të partive politike. Ajo u shpreh se ata kanë një përgjegjësi të veçantë në fjalët dhe veprimet e tyre jo vetëm duke e dënuar dhunën por edhe  ta parandalojnë atë.

“Mendoj se është shumë e dukshme që dhuna në politikë është e papranueshme. E di që dhuna politike ka qenë pjesë e historisë së Shqipërisë, por kjo është në të shkuarën. Tani mendoj që është një Shqipëri ndryshe.

Mendoj që drejtuesit kanë një përgjegjësi  të vecantë në fjalët dhe në veprimet e tyre. Jo vetëm që ta dënojnë dhunën, por edhe që ta parandalojnë atë.  Kështu që udhëheqësit nuk duhet të shkojnë që të mund të nxisin që njerëzit të mund të marrin armët, apo të mund të përfshihen në vepra të dhunshme. Është përgjegjësi e tyre”, u shpreh Kim.

Kim e cilësoi rikthimin në Shkodër si një vizitë të lënë në mes në muajin Tetor, por si një mesazh para zgjedhjeve.

“Është një kënaqësi e madhe. Para së gjithash, Shkodra është një nga vendet e mia të preferuara në Shqipëri. Ju mund ta dini se kam qenë këtu, tetorin e vitit të kaluar dhe kam ndjerë që nuk kam kaluar kohë mjaftueshëm. Për këtë arsye jam rikthyer.

Dhe sigurisht, tani jemi një muaj përpara zgjedhjeve kombëtare të rëndësishme në Shqipëri. Kështu që mendova se ishte një kohë e mirë për të ardhur e për të parë personalisht se çfarë është duke ndodhur, se cfarë mendojnë njerëzit. Si dhe që ta bëj shumë të qartë se cili është mesazhi i shteteve të bashkuara.  Sikundërse jeni në dijeni, unë kam qenë javën e kaluar në Elbasan, dhe këtë javë kam ardhur në Shkodër”, deklaroi Kim.

Ambasadorja Kim ka komentuar edhe çështjen e shumëpërfolur të blerjes së votës në vendin tonë.

Kim është shprehur se qytetarët shqiptarë duhet të dinë vlerën e votës dhe të mendojnë të ardhmen e fëmijëve para Iphoni që mund të marrin në një moment.

“Dhe votuesit shqiptarë duhet të marrin vendimin këtu dhe duhet ta bëjnë të qartë pozicionimin e tyre. Ajo që dëgjoj këtu është blerja e votave dhe mendoj që votuesit shqiptarë duhet të vendosin. A është krenaria ime, dinjiteti im, e ardhmja e fëmijëve të mi? A ja vlen që të marr një celular IPHONE ta përdor, a ja vlen për 100 euro? A ja vlen kjo gjë për ofendimin që dikush mund të të thotë se mund të të blejë votën tënde? Mund të blejë jetën tënde?

Nuk mendoj që është kështu. Dhe arsyeja pse kam ardhur në Shkodër, është sepse ky vend ka një histori shumë të vecantë. Është një vend i njerëzve të fortë. Me një ndjesi të fortë krenarie. Dhe mendoj që kur njerëzit mbajnë mend se kush janë, ata kanë për të bërë gjënë e duhur në zgjedhje”, ka thënë Kim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat