Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka rrëzuar ankimimin e ish-drejtuesit të Prokurorisë së Gjirokastrës, Arben Pasho, duke lënë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për shkarkimin e tij nga detyra.
Vendimi i mor sot nga trupa gjykuese e përbërë nga Ardian Hajdari kryesues, Natasha Mulaj relatore, Albana Shtylla, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë.
Me 16 maj 2019, KPK vendosi shkarkimin nga detyra të prokurorit.
Në seancën dëgjimore, 3 ditë para vendimit, Arben Pasho u ballafaqua me pikëpyetjet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për pasurinë dhe profesionalizmin.
Pozita e kreut të Prokurorisë së Gjirokastrës duket se u rëndua edhe nga një marrëdhënie financiare me një biznesmen, që ishte denoncuar tre herë për pastrim parash, por që Prokuroria e Gjirokastrës i kishte mbyllur hetimet në të tre rastet.
Pasho deklaroi se hetimet ishin mbyllur për shkak të mungesës së provave.
Hetimi administrativ për Pashon u kryesua nga Valbona Sanxhaktari, me relator Olsi Komicin dhe anëtar Roland Ilian.
Arben Pasho e drejtonte Prokurorinë e Gjirokastrës prej vitit 2011, ndërkohë që ka punuar si prokuror edhe në Sarandë e Tepelenë. Ai iu nënshtrua procesit të vetingut për të tre kriteret.