Skandali i fundit në spitalin e Vlorës ku vajza dërgoi të atin për t’u trajtuar dhe nuk mori vesh më gjë për të për muaj të tërë është i paprecedent në historinë e spitaleve shqiptare, por jo i vetmi.
Pandemia ka shtuar precedentët, por edhe kallëzimet e të afërmve në Polici, të cilët përveç humbjes së të dashurve të tyre për shkak të koronavirusit u është dashur të enden lart e poshtë për të marrë sendet e tyre personale.
Shumica prej kallëzimeve kanë të bëjnë me humbje telefonash, ku pacientët pasi kanë ndërruar jetë, nuk i janë kthyer celularët. Më shumë se sa vlera e telefonit, për të afërmit e tyre ka rëndësi vlera e paçmueshme. Në shumicën prej kallëzimeve, familjarët deklarojnë se në telefonat e humbur ka shumë kujtime që ata kanë me të afërmin e tyre. Nuk mungojnë as rastet kur pacientët i kanë humbur portofolat, ku kanë pasur brenda shuma të konsiderueshme parash.
Të gjitha abuzimet në spitalet COVID janë zbuluar përmes denoncimeve mediatike apo emisioneve investigative. Rasti më i rëndë është edhe ai sanitares Tire Alldervishi, e cila për përkujdesjen e një pacienteje gjatë kohës që ka qenë e shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi”, i ka marrë vajzës së saj 8 milionë lekë të vjetra.
Por, pas “zbërthimit” të Tires, erdhën edhe arrestimet e katër punonjësve të tjerë, të cilët u liruan pas disa ditësh. Sikur të mos mjaftonin skandalet me ryshfete e vjedhje, të tjera hije dyshimi mbi sjelljen e personelit shëndetësor mbi “të pafuqishmit” që shkojnë aty për të shpëtuar, dolën në dritë ditë më vonë. pakkush i ka harruar fytyrat e dëshpëruara të dy vajzave që humbën të atin e tyre Rifat Lalo vetëm disa orë pasi e dërguan në Spitalin Infektiv.
Me denoncimin në media, ato jo vetëm që nuk u lanë të mbanin zi siç duhet, u desh që të përballeshin edhe me kallëzimin penal që u ngrit kundrejt tyre me pretendimin se kishin fyer bluzat e bardha, konkretisht mjeken që e ndoqi të atin. Brenda së njëjtës ditë, një tjetër rast abuzimi u shënua, ku një grua denonconte humbjen e sendeve personale pas transferimit nga një spital në tjetrin.
Ato, arriti t’i merrte vetëm pas denoncimit publik, që vuri në lëvizje personelin mbështetës të punësuar pranë spitalit. Një rast i ngjashëm, por i dënueshëm aktualisht me burg, është ai i vjedhjes së portofolit nga infermierja Ronida Hysi, e cila më pas ka tërhequr një shumë të caktuar në bankomat. E gjitha kjo është dëshmuar nga pamjet filmike, të cilat çuan pas hekurave të renë e sapopunësuar në Spitalin Infektiv.