Ka rritje të lehtë të rasteve të reja pozitive nëpër çerdhe, por nuk është arritur piku siç ishte në valën para dimrit, andaj për momentin fëmijët janë të sigurt në çerdhe, tha ministrja për punë dhe politikë sociale Jagoda Shahpaska, Ajo shtoi se Komisioni për sëmundje ngjitëse do të sjellë vendim varësisht nga gjendja epidemiologjike.
“Ka rritje të lehtë të rasteve pozitive nëpër çerdhe, megjithatë duke pasur parasysh faktin se nga 13.600 fëmijë që janë të pranishëm nëpër çerdhet, mesatari deri të premten e kaluar ishte se vetëm 19 fëmijë kanë dalë pozitivë, që tregon se fëmijët në çerdhet ende janë të sigurt”, tha Jagoda Shahpaska – Ministre për Punë dhe Politikë Sociale.
Për shkak të pandemisë, logopedëve, psikologëve dhe pedagogëve u është ndaluar të punojnë me fëmijët në çerdhe dhe kjo negativisht ndikon në zhvillimin e tyre. Shahpaska thotë se problemi do të zgjidhet në secilën çerdhe veçmas në nivel lokal.
“Puna profesionale me fëmijët është e rëndësishme. Mënyra e menaxhimit të punës individuale me mbajtje të pajisjeve mbrojtëse nga ana e logopedëve, psikologëve, pedagogëve dhe punëtorëve të tjerë kompetent do të menaxhohet në nivel lokal në çdo çerdhe veçmas”, shtoi Shahpaska.
Përndryshe u rindërtua një pjesë e qendrës ditore për persona me pengesa intelektuale në moshë prej 14 deri në 26 vjeçare në Entin për rehabilitim të fëmijëve dhe të rinjve në lagjen Fushë Topane. Në lidhje me këtë Ministria për punë dhe politikë sociale ka investuar 5,3 milionë denarë. Në pjesën tjetër të objektit ku janë akomoduar personat më të moshuar, për rikonstruim priten mjete nga BE-ja.