Edhe pse duhej të ishte një fjalim i mbushur me arritje dhe sinjale për optimizëm, kryeministri Edi Rama u shfaq përpara mbështetësve të tij i zymtë në fytyrë.
Për minuta të tëra, ai foli vetëm për takimin e kundërshtarit politik.
“Dasmorë që kanë vënë përpara një dhëndër që vonohet një orë. Merre me mend çfarë mund të presësh nga dikush që lë një orë në të ftohtë njerëzit që i mbledh vetë, Po flinte gjumë. Takimin e la në orën 5. Ajo nuk është ora për të pritur njerëzit por për t’u zgjuar. Këtu ka dëshirë për të folur me fjalë se njeriun nga kafsha fjala e ndan. Atje në mungesë të dhëndrit dasmorët dëgjonin britma dhe pasthirrma. Si mund të pretendohet që në shekullin e 21, që të merret në dorë e gjithë kjo Shqipëri dhe të qeveriset me britma,” tha Rama.
“Praktikisht sonte ne dhe ata u kemi vënë para syve njerëzve dy kartolina, në një ekran televizori të ndarë. Mjafton t’i shohësh për të kuptuar ndryshimin e madh, hendekun e jashtëzakonshëm që na ndan. Këtu ka respekt për shtetin, për ligjin, për rregullat, që i kemi vënë të gjithë së bashku dhe i kemi pranuar të gjithë, e që mbi të gjitha njerëzit e zakonshëm i kanë pranuar dhe zbatuar ditë për ditë. Ndërkohë që atje nuk ka respekt për shtetin, për ligjin, për rregullat, për njerëzit. Kjo është fytyra e fushatës sonë, fytyra e fushatës së tyre është krejt tjetër. Këtu ka përgjegjshmëri qytetare, njerëzore, familjare, atje sundon papërgjegjshmëria, në atë kartolinën e tyre. Këtu shëndeti i njerëzve është si çdo ditë mbi gjithçka tjetër, dhe mbi partinë patjetër. Ndërsa atje partia është edhe mbi shëndetin e njerëzve,” tha Rama.
Më tej ai e nxori kokën pikërisht te meraku i tij i madh: fakti se opozita kishte mbushur sheshin.
Rama u tha të pranishmëve në sheshin e tij se në fakt atë po e ndjekin mijëra njerëz në Facebook.