Tiranë: Socialistët dhe demokratët çelin fushatat zgjedhore në skajet e shëtitores "Dëshmorët e Kombit"

Shqipëria

Tiranë: Socialistët dhe demokratët çelin fushatat zgjedhore në skajet e shëtitores "Dëshmorët e Kombit"

Më: 25 mars 2021 Në ora: 22:42
Rama dhe Basha

Dy partitë e mëdha politike hapën të enjten në mbrëmje fushatat e tyre për zgjedhjet e 25 prillit.

Në sheshin “Nënë Tereza” të tejngjeshur me përkrahës opozitarë dhe automjetet e tyre, Partia Demokratike zhvilloi tubimin e vet, duke shkelur rregullat e pandemisë për t’u mbrojtur nga koronavirusi, ku mijëra pjesëmarrës nuk ruanin distancën shëndetësore as kufizime të tjera.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha në tubimin e nisur sipas modelit “Drive in”, se bashkimi i tanishëm i shqiptarëve do t’i japë fund tranzicionit shqiptar dhe të hapin një faqe të re të historisë moderne dhe europiane të Shqipërisë, duke e anëtarësuar vendin në Bashkimin Europian.

“Më të mirët, më të ndershmit le të drejtojnë fatet e vendit, sepse Shqipëria ka nevojë sot më shumë se kurrë për punë, nder dhe ndryshim rrënjësor” - tha zoti Basha.

Zoti Basha tha se shqiptarët po luftojnë kundër një grushti njerëzish, që janë gati të bëjnë gjithçka vetëm për të mbajtur karriget e tyre, se ata nuk qeverisin por i shërbejnë vetes dhe ortakëve, duke rrëmbyer pasuritë e vendit.

“Vendi ka nevojë për rininë, ndryshimi kërkon mbështetjen e saj. Çdo gjë e mirë që i ka ndodhur këtij vendi, gjithçka që ka ndryshuar për mirë në këtë vend mban vulën e rinisë, ka fytyrën e saj” - tha zoti Basha.

Kryetari i opozitës tha se shqiptarët jan në kërkim të shpresës, dhe se demokratët po punojnë për të garantuar një ndryshim të thellë, të vërtet e të pakthyeshëm, që ka nevojë për ndihmesën e secilit qytetar, që ka në focus dashurinë për fëmijët, për familjet dhe për Shqipërinë.

Përballë sheshit “Nënë Tereza”, në skajin tjetër të shëtitores “Dëshmorët e Kombit”, vetëm një kilometër më tutje, në sheshin “Skënderbej”, Partia Socialiste zhvilloi tubimin hapës sipas rregullave mbrojtëse për pandeminë, teksa kandidatët për deputetë ishin ndarë e distancuar në grupe dhjetëshe larg nga njëri tjetri.

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, kritikoi opozitën për mos-distancimin e pjesëmarrësve në tubimin tjetër dhe kërkoi një mandate të tretë, për të përmbyllur reformat e nisura.

“Sot ne nisim në fakt fundin e një fushate, që nuk ka ndaluar në asnjë moment, qysh nga dita që kemi marrë mandatin tonë të parë. Ne dhe ata u kemi vënë para syve njerëzve dy kartolina sonte, në një ekran televizori të ndarë. Mjafton t’i shohësh për të kuptuar ndryshimin e madh, hendekun e jashtëzakonshëm që na ndan” - tha zoti Rama.

Ai akuzoi demokratët se nuk kanë respekt për shtetin, për ligjin, për rregullat, për njerëzit, duke rrezikuar shëndetin e tyre.

“Mandati i tretë i PS-së duhet që Shqipëria të mos vonohet më. Mandati i tretë është që Shqipëria të mos kthehet me kurrë mbrapa, sepse me mandatin e tretë, e bëjmë të pakthyeshme reformat që janë rrugës” - tha zoti Rama.

Ai theksoi se mandati i tretë e bën të pakthyeshme reformën në Drejtësi dhe ardhjen e një drejtësie të re, do të zgjidhet çështja e pronës, që gjithashtu është future në rrugën e një zgjidhje përfundimtare.

“E kundërta do të thotë humbje e këtyre përpjekjeve dhe kthim përsëri aty ku Shqipëria nuk mund, nuk duhet dhe nuk do të kthehet më. E kundërta do të thotë rikthim pas” - tha zoti Rama.

Kryetari i Partisë Socialiste dhe kryeministri Rama ftoi qytetarët të mos e shohin kërkesën për një mandat të tretë si një qëllim në vetvete, as si inerci apo dëshirë për pushtet, por nevojitet për të zhvilluar vendin dhe përmbyllur reforma themelore./VOA

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat