Erzen Breçani, administrator i kompanisë së sigurisë ku punonte Arjan Sala, 33-vjeçari që humbi jetën në zjarrin e rënë në magazinat e qendrës tregtare të “Casa Italia”-s, tregoi për Euronews Albania se ai ishte një punonjës i devotshëm, i denjë për të qenë edhe në strukturat e policisë.
Gjatë intervistës për edicionin e pasdites në Euronews Albania Breçani tha se Sala ka qenë trajnuar dhe certifikuar sipas të gjitha standardeve të kërkuara. Fillimisht ai ka nisur punë si punonjës i thjeshtë i sigurisë në qendrën tregtare “Casa Italia” e më pas është kaluar si përgjegjës i përgjithshëm i ruajtjes së gjithë qendrës.
Breçani tha se në katin e parë nëntokë kur është konstatuar tymi nga roja e magazinës, Sala së bashku me dy menaxherë të qendrës tregtare ka zbritur poshtë dhe ka bërë të mundur largimin e punonjësve që ndodheshin në katet më poshtë.
“Koha për të kontrolluar magazinën, nëse ka pasur apo jo njerëz të tjerë, ishte e pamjaftueshme dhe i kushtoi jetën,” – tha Breçani duke nënvizuar se Sala pasi ka nxjerrë punonjësit jashtë është kthyer për të konfirmuar plotësisht shpërnguljen e të gjithëve nga zona e rrezikut.
“Nuk duhet të mendojmë më sot a ka kryer detyrën, a ishte i trajnuar… ishte i trajnuar, ishte i certifikuar, i përgatitur, kishte motivacion, ishte njeri i përkryer, njerëz të tillë nuk i duhen vetëm policisë private, por policisë së shtetit, i duhen dhe i kanë lakmi të gjitha policitë e botës,” – u shpreh më tej Breçani.
Administratori i kompanisë së sigurisë konfirmoi për Euronews Albania se për familjen Sala është menduar një mbështetje “simbolike financiare” dhe se që në fillim u kërkua nderimi si dëshmor.