Investimet e huaja direkte e kanë mbyllur vitin 2020 në rënie. Sipas të dhënave Bankës së Shqipërisë fluksi i kapitalit te huaj të hyrë në ekonomi vitin e kaluar arriti në 933 milionë euro, nga mbi 1 miliardë euro që ishte në vitin 2019, duke shënuar një rënie prej rreth 13%.
Eksperti për ekonominë Gent Beqiri shpjegon se kjo rënie ishte e pritshme dhe më shumë se nga pandemia, ndikim në tkurrjen e tyre kanë dhënë përfundimi i projekteve energjetike Tap dhe Devoll.
Sipas tij, projektet e fundit që kanë angazhuar amerikanët dhe francezët në ndërtimin e veprave në sektorin energjetik është një sinjal pozitiv dhe pritet të sjellë një vlerë të shtuar në investimet e huaja.
Sipas Beqirit, përveç energjisë sektor me potencial të madh zhvillimi që mund të zgjojë interesin e investitorëve të huaj është edhe turizmi, që në fakt rezulton edhe nga më të prekurit e krizës.
Sipas statistikave të bankës qendrore rënien në të madhe të fluksit të investimeve të huaja vitin e kaluar e shënoi industria nxjerrëse si pasojë e krizës, teksa kjo e fundit duket se ka prekur edhe investimet në pasuritë e paluajtshme pasi një vit më parë fluksi i tyre arriti në 82 milionë euro, rreth 26% më pak se në vitin 2019.