Gjykata e Lezhës ka zbutur masën e sigurisë ndaj shefit të sigurisë së Portit të Shëngjinit Agustin Gjini, i arrestuar me akuzën e tjetërsimit të pronave në kohën kur ishte zyrtar i ish Komunës Shëngjin.
Gjyqtari Jak Ndoka vendosi masën e sigurisë “detyrim paraqitje” 1 herë në javë në policinë gjyqsore për ish zyrtarin, duke rrëzuar kërkesën e prokurorit Sabri Kastriti që ai të qëndrojë në burg.
Ndaj vendimi i Gjykatës së Lezhës pritet të apelohet nga organi i akuzës!
Shefi i sigurisë në portin e Shëngjinit Agustin Gjini, u arrestua të premten nga Policia pasi Gjykata e Lezhës më herët kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg”
Ai dyshohet se gjatë ushtrimit të detyrës si përgjegjës i Sektorit të Arkivit dhe Protokollit në Komunwn Shëngjin gjatë viteve 2011-2014 ka falsifikuar dokumentet, duke tjetërsuar sipërfaqe toke në bregdetin e Shëngjinit, nga lloji i pasurisë rërë në arë.
Hetimet në lidhje me këtë çështje kanë nisur 6 muaj më parë nga Prokuroria e Lezhës e cila thotë se vijon hetimet për të vënë para përgjegjesisë ligjore edhe persona të tjerë të përfshirë.
Tjetërsimi i pronave në zonën e bregdetitt është një fenomen shqetësues në të gjithë vendin!
Vetëm në Lezhë janë nën hetim dy dosje të tjetërsimit të një sipërfaqeje të konsiderueshme tokash kryesisht në zonën e Ranës së Hedhun.