Partia Agrare Ambientaliste çeli sot siparin e hapjes së fushatës elektorale për Tiranën.
Kreu i kësaj partie Agron Duka tha se në fokus të kësaj partie është ekonomia e gjelbër dhe mjedisi.
Ai tha se objektivi i shqiptarëve në 25 prill është largimi me votë plebishitare i rilindasve arrogantë dhe të babëzitur.
“Ekonomia e gjelbër konsiderohet një prej tre kolonave të ristrukturimit produktiv dhe konkurrues për vendin tonë jo vetëm për situatën post-Covid por edhe për shekullin e ri pas erës së Rilindjes. Sfida e të gjithë shqiptarëve është largimi me votë plebishitare e rilindasve të babëzitur dhe arrogantë.
Objektiv parësor politik i PAA është çlirimi i çdo shqiptari nga kapja e shtetit dhe korrupsioni. Humbasin miliarda lekë dhe vidhet nga rilindasi shpresa për të ardhmen. Ne vijmë me një program ku puna, investimet, sipërmarrja, përkujdesja sociale, menaxhimi ligjor i pasurisë publike janë boshti i kontratës tonë të besimit”.