Të moshuarit janë të paqartë se ku duhet të paraqiten për vaksinimin. Në vend që të shkojnë në sheshin “Skënderbej”, ata u drejtohen Qendrave Shëndetësore ku banojnë me argumentin se aty i ka dërguar mjeku i familjes.
Është një nga rastet e paqartësive se ku bëhet vaksina, në sheshin “Skënderbej” apo në Qendrën Shëndetësore.
Kryeinfermierja e Qendrës numër 6 në Tiranë, Rubie Ormani, bëri një përjashtim për këtë të moshuar, edhe pse sipas saj dhe protokollit shëndetësor personat mbi 70 vjeç duhet ti drejtohen tendave në qendër.
Ky 72 vjeçar e ka të pamundur që të shkojë të marrë dozën e parë të vaksinës atje, pasi është invalid dhe nuk mund të ecë.
“Nuk shkoj dot, vuaj nga gjunjët. Me taksi erdha nga shtëpia dhe këtu. Jam i paralizuar, kam kaluar hemoragji cerebrale. Me diabet dhe zemër.”
Kryeinfermierja Ormani tregon për procesin e vaksinimit ku ajo u shërben banorëve të zonës se Kombinatit.
“Regjistrohen pastaj kalojnë te procesi i vaksinimit, bëjnë vaksinimin dhe presin një çerek ore te holli. Na ka ecur shumë mirë, nuk kemi pasur asnjë problem. Vaksinimi fillon në orën 08:30 të mëngjesit dhe deri në mbrëmje kur nuk ka më pacientë.”
Sipas të dhënave zyrtare në këtë Qendër kryhen në ditë rreth 135 vaksina.
Radhët e pritjes janë reduktuar pasi aty marrin dozat vetëm të moshuarit mbi 80 vjeç.