Kryeministri Rama ka folur për një sezon turistik më të lehtësuar edhe për shkak të nisjes së vaksinimit masiv të popullsisë.
Por eksperti i ekomisë, Adrian Civici, thotë se nëse duam që të kemi këtë verë një sezon të pranueshëm duhet të vaksinohen të gjithë punonjësit e sektorit të turizmit.
Civici: Në kushtet kur biznesi është në limit të mundësisë për të shfrytëzuar kapacitetet prodhuese, mundësisë për të përballuar konkurrencën dhe koston për të qenë efektiv në treg politikat që duhet të ndjekim janë ato politika që ulin koston e biznesit, lehtësohet nga disa shpenzime, polkitika që kanë të bëjnë me ristrukturimin dhe lehtësimin e kushteve për të pasur akses më të madh në kreditin bankar dhe njëkohësisht i gjithë grupi i politikave që ka të bëjë me ato politika probiznes, favorizime fiskale dhe tatimore. Nëse duam të kemi një sezon turistik qoftë dhe jo maksimal, por të pranueshëm për këtë situatë, politika më e mirë është vaksinimi i gjithë sektorit të turizmit që të mund ti garantosh turistët që do të vijnë për mundësi shumë të vogël apo për të eleminuar fare mundësinë e infektimit.
Shifrën e rënies ekonomike me 3.31 për qind të INSTAT, Civici e shikon si shifrën më të mirë të mundshme,përtej të gjitha parashikimeve negativiste.
Për Ora News ai rendit edhe faktorët që kanë bërë që rënia ekonomike të jetë më e vogël nga ajo që pritej.
Civici: Shifra 3.31% e rënies është optimiste në llojin e saj sepse të gjithë parashikimet e bëra në 2020, duke filluar nga qeveria shqiptare që e llogariste -4.5, -5.5 deri te rastet më negative të disa institucioneve ndërkombëtare që shkonin deri në -9.5%, 3.31% është shifra më e mirë e mundshme dhe tregon se goditja që ka marrë ekonomia shqiptare nuk ka qenë në ato përmasa kastrofike siç u mendua. E shoh këtë shifër të lidhur edhe me disa faktorë të tjerë, ndikime të krahut pozitiv që ka pasur situata ekonomike në Shqipëri, ndikimi që kanë dhënë shpenzimet për rindërtimit, para të injektuara në ekonomi në kohën e pandemisë. Ka ndikuar qoftë dhe minimalisht turizmi i brendshëm pasi dihet që shqiptarët në vitet e fundit harxhonin 1 miliard euro sa i përket turizmit jashtë. Edhe rritja shumë e madhe e shpenzimeve për kujdes mjekësor ka qenë shumë e madhe në këtë kohë. Për këtë arsye rënia ekonomike ka qenë më e vogël nga ajo që u parashikua apo pritej.
Sa i takon të dhënave të BB për rritje të varfërisë me 12%, Civici thotë se ishte një shifër e pritshme për shkak të dy goditjeve të mëdha, tërmeti dhe pandemia.
Në gjykimin e Civicit, ekonomia shqiptare ka filluar të marrë veten pas asaj goditje.
Civici: Kjo vjen për dy arsye, nuk është më ajo situatë e shtrënguar e lockdoën, nga ana tjetër një kategori biznesesh janë përshtatur me situatën e re, duke mos bllokuar aktivitetin e tyre ekonomik. Ajo që na ndikon edhe më shumë në 2021 është situata ndërkombëtare me gjithë vendet partnere me të cilat kemi aktivitet gregtar si Greqia dhe Italia, ekonomia e të cilave akoma nuk është në situatë të mirë.Rikthimi në situatën normale ekonomike nuk mund të bëhet më në mënyrë individuale dhe vetëm, por është një proces i përbashkët.