Kryeministri Edi Rama nga Berati ka komentuar koalicionin me LSI-në, ndërsa theksoi se kjo ishte një kosto për të majtët.
Sipas Ramës, disa prej këtyre të majtëve kanë pasur kostot e tyre. Kreu i qeverisë solli në fokus largimin e Nasip Naços nga LSI-ja, ndërsa theksoi se ky i fundit ndihej pjesë e një borxhi pasi kjo parti i kishte marrë votat PS-së.
“Faleminderit Demo që garantove që dita të jetë me diell sot dhe të kemi mundësinë që të jemi në një vend të bukur. Më kujtohet se sa keq ndiheshe kur vije këtu, ku kjo bukuri kulturore ishte e mbuluar nga ferrat. Ishte momenti kur qytetarët e Beratit i dhanë mundësinë Ervinit për të qenë qytetari i parë. E kujtoj fare mirë nga fotografitë që merrja ato ditë nga Berati dhe të qyteteve të tjera, që nisën një aksion për pastrimin mbetjesh dhe ferrash. Për një periudhë kohe të shkurtër kjo kala u mbulua nga ferrat dhe u mbyt nga ferrat. Njësoj si kjo kala mund t’i ndodh çdo vendi, çdo pike të tij, kur nuk drejton PS. Është një histori tanimë e dallueshme për të kuptuar dallimin mes nesh dhe atyre. Ne nuk jemi të rënë nga qielli dhe pa të meta. Kemi pasur barrën të drejtojmë dhe kemi bërë shumë punë, kemi bërë dhe gabime. Kemi kërkuar dhe ndjesë publike. Kemi bërë dhe gabime që as nuk i dimë. Këto janë të lidhura me jetën e njerëzve. Për çdo lëndim ne mbajmë përgjegjësi. Për çdo rast kur gjerat nuk shkojnë siç duhet, shteti mban përgjegjësi. Nasipi tha se ka ardhur këtu se ndihet pjesë e një borxhi pasi tha se na kanë marrë shumë vota. Pjesë e atij borxhi jemi dhe ne, pjesa tjetër. Në fund të ditës për atë ndarje janë ata njerëz të zakonshëm, që e kane zemrën majtas dhe që zemra i rreh majtas dhe që kanë paguar kosto. Ne në të shkuarën kemi bërë dhe gjera të mira, por kur bën bilancin, më shumë kemi krijuar kosto nga ajo ndarje, nga ajo përçarje, se sa aq sa shumë mund të bënim për njerëzit. Për mua ky moment është jo thjesht i rëndësishëm nga pikëpamja e një palë zgjedhje, por nga pikëpamja e një pike të përbashkët. Ne e riunifikojmë të majtën dhe gjithë këtë popull që e ka zemrën majtas kur i vjen puna tek zgjedhjet. Duan s’duan PS është e vetmja forcë që nuk është lënduar në raport me interesin kombëtar. Nasipi këtu dhe të gjithë ata që i përkasin atij komuniteti të madh ë ishte pjesë e LSI, kanë gjetur vendin e tyre, ndërkohë patjetër Ilir Meta, Monika dhe mjetet e asaj partie, kanë gjetur vendin e tyre, me Saliun dhe me atë tabor krushqish që kërkojnë që të marrin plaçkë në Shqipëri. Është bërë ndarja përfundimtare dhe gjerat kanë shkuar në vendin e tyre. Kjo është një situatë ku jemi e njëjta gjë. Sot janë e njëjta gjë, dhe kanë vetëm një emër, Parti Socialiste e Shqipërisë. Duke qenë një, duke qenë bashkë, të gjithë kanë maksimumin për të ecur në të njëjtin veprim.”, tha Rama.