E Diela për Katolikët është Pashkë, festa që simbolizon Ngjalljen e Krishtit
Besimtarët në të gjithë vendin përgatitjet i kanë nisur prej ditësh dhe në vigjilje bënë ritualin e bekimit të ushqimit.
Për të dytin vit radhazi, Pashka do të kremtohet në kushtet e pandemisë, por me ndryshimin që këtë herë besimtarët lejohen në kisha.
Lutjet e tyre janë për shëndetin dhe kapërcimin sa më parë të kësaj situate.
Pashka katolike këtë vit vjen në mes të fushatës elektorale e cila i ka tensionuar tonet, ndaj Arqipeshkvi Metropolit të Tiranë e Durrësit, Imzot George Frendo e kishte një mesazh direkt edhe për politikën.
“Ju lutem mos përdorni një fjalor që mund të bëhet rast përçarje mes nesh, jemi njerëz të krijuar në imazhin e Zotit, jemi të gjithë një popull, para se të jeni parti të ndryshme. Kërkoni atë që ju bashkon, më të mirën e përbashkët më shumë se sa të mirën e partisë apo atë personale “
Ndërsa Arqipeshkvi i Shkodrës, Angelo Massafra e uroi festën spitali ku po qëndron pasi fitoi luftën me Covid.
“Le të jetojmë me gëzim edhe pse jemi në vuajtje për shkak të pandemisë”
Një thirrje të fortë kisha e kishte edhe kundër largimit të shqiptarëve.
“Ndoshta shumë të rinj kënaqen të jenë guximtar. Por le të kërkojnë më shumë të jenë heronj. Shqipëria ka nevojë për ju, të dashur të rinj: Jeni e ardhmja e Shqipërisë”
Pashka është një nga festat më të rëndësishme të besimtarëve të krishterë me simbolikën e fortë të triumfit së jetës mbi vdekjen.