Kush ishte Bardhok Pllanaj, 46-vjeçari i shpëtoi disa herë ndëshkimit nga drejtësia

Shqipëria

Kush ishte Bardhok Pllanaj, 46-vjeçari i shpëtoi disa herë ndëshkimit nga drejtësia

Më: 5 prill 2021 Në ora: 15:24
Bardhok Pllanaj

Vrasja e 46-vjeçarit Bardhok Pllanaj duket se ka prishur ekuilibrat në botën e krimit në Shkodër. Viktima njihej si person  me precedentë  të theksuar kriminalë ndërkohë që i kishte shpëtuar drejtësisë të paktën tri herë.

Pllanaj dyshohet se bashkëpunonte me grupe nga jugu i vendit për trafikim kanabisi në Itali ndërkohë që në vitin 2015 i  shpëtoi arrestimit nga policia pasi po udhëtonte në makinën e deputetit të kohës Mark Frroku.

Kush ishte Bardhok Pllanaj

Vrasja e Bardhok Pllanajt në Shkodër cilësohet nga ekspertët e hetimit si një shfryrje dufi,  për shkak të egërsisë së krimit.

Pllanaj, njihej si kontigjent kriminal në qytetin e Shkodrës, por gjithmonë ka arritur ti shpëtojë akuzave të rënda dhe të dënohet për vepra penale të leta si “Moskallëzim Krimi”, “Ndërtim pa lejë” dhe Falsifikim të formularëve”. Pllanaj prej 13 majit 2008, administronte në Shkodër kompaninë “OLD-B”, një kompani ndërtimi kjo që merej me ndërtimin e pallateve.

 “Ora News”, mëson se dënimin e fundit Bardhok Pllanaj, e ka marrë nga gjykata e Shkodrës, në nëntor të vitit 2020, ku është deklaruar fajtor dhe dënuar me 3 vjet burgim.  I kthyer më pas në 5 vjet shërbim prove.

Pllanaj është proceduar për akuzën e “Pastrimit të produkteve të veprës penale”, por ky hetim u pushua nga prokuroria, duke liruar nga sekuestro pallatin që Pllanaj ka ndërtuar në Shkodër.

Emri i tij del në përgjime të periudhës 2014-2015 ku  “Kumbari”, siç thirrej ndryshe në Shkodër, dyshohet se bashkëpunonte me dy grupe kriminale në Vlorë dhe Tepelenë që kryenin trafikun e drogës nga Shqipëria në dy familje Siçiliane në Itali. Ngarkesa e parë daton në 30 shtator 2014 tek “Rana e Hedhun”, e dyta në 1 tetor 2014 tek laguna e “Vilunit” dhe e treta në vitin 2015 në grykëderdhjen e Bunës në Shkodër.

Gjatë operacionit “Viluni”, Bardhok Planaj, i shpëtoi arrestimit falë lëvizjes në makinën e ish-deputetit të Kuvendit, Mark Frroku. Ky automjet nuk u kontrollua pasi policia dhe prokuroria nuk kishin autorizimin nga Kuvendi i Shqipërisë duke shpëtuar Bardhok Pllanajn nga arrestimi.

Ngjarja e fundit ku Pllanaj është përfshirë,  ndodhi më 23 dhjetor 2020, ku së bashku me djalin e tij Orlando Planaj, Rivaldo Planaj dhe Mirsad Shpellzaj, qëlluan me automatik lokalin dhe makinën e efektivit të policisë Albert Pjetri. Shkak i krimit dyshohet se ka qenë shoqërimi në polici i Orlando Planaj nga oficeri Pjetri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat