Ish-deputeti Aqif Rakipi është aksidentuar mbrëmjen e sotme pranë stadiumit “Air Albania”. Mësohet se Rakipi po udhëtonte me një automjet të llojit “Mercedez Benz” të zi, në momentin që është përplasur me një tjetër mjet të të njëjtit lloj, por me ngjyrë portokalli.
Në fotot e publikuara nga Panorama, shihet se Rakipi qëndron në këmbë pranë mjetit të tij. Fatmirësisht nga kjo përplasje nuk ka pasur persona të lëdnaur, por vetëm dëme materiale.
Kjo nuk është hera e parë që Rakipi përfshihet në një aksident automobilistik. Aqif Rakipi përplasi për vdekje një këmbësor në gusht të vitit 2017, por një vit më vonë u shpall i pafajshëm. Ngjarja ndodhi në autostradën Tiranë-Durrës, në momentin që Rakipi udhëtonte me mjetin e tij dhe një qytetar i identifikuar si Seit Sorra zbriti nga furgoni dhe kaloi rrugën.
Ish-deputeti Rakipi rezultoi i pafajshëm në atë aksident fatal për jetën e një kalimtari pasi sipas ekspertëve, ndërprerja e menjëhershme e rrugës nga viktima si dhe fakti që Rakipi ka patur një fushëpamje të kufizuar për shkak se anës rrugës kishte ndaluar furgoni nga ku zbriti viktima, e zhveshin nga përgjegjësia. Mbetet për tu parë nëse këtë herë do t’i shpëtojë përgjegjësisë, njësoj si para katër viteve.
Për aksidentin Policia dha edhe njoftimin zyrtar.
Në njoftimin zyrtar, thuhet se rreth orës 19:25, në afërsi të stadiumit “Air Albania”, një person me inicialet B. Xh., ka humbur kontrollin e mjetit dhe është përplasur me një mjet të parkuar aty në afërsi. Sipas këtyre të dhënave, mjeti i Rakipit ishte i parkuar dhe makina me ngjyrë portokalli të ndezur, siç dhe u raportua me foto pak më herët, e ka përplasur. Personi me inicialet B.XH., ka marrë një gjobë si ndëshkim.
Pamjet e publikuara më mbas hedhin dyshimepër njoftimin e Policisë për aksidentin e ish-deputetit, ‘Benz’-i i Aqif Rakipit nuk ishte i parkuar, qëndron në rrugë me dritat ndezur.
Siç shihet edhe në foto, mjeti me ngjyrë të zezë, i llojit “Mercedez Benz”, (me rreth ngjyrë blu) që është e ish-deputeti Aqif Rakipi (me rreth të kuq), qëndron me drita të ndezura si të ishte në ecje dhe njërën derë të hapur.
Nëse mjeti, do të kishte qenë i parkuar siç edhe tha Policia e Shtetit në njoftimin e saj, makina ndoshta do të ishte në një tjetër pozicion, do të kishte dritat fikur. Por, fotoja tregon se ngjarja nuk ka qenë plotësisht siç tregoi Policia e Tiranës në njoftim, që bëri fajtor drejtuesin e makinës tjetër, me ngjyrë portokalli të ndezur. Ky i fundit, mund edhe të ketë qenë shkelësi dhe fajtori në këtë përplasje, por nuk mund të mohohet as përfshirja e Rakipit në këtë mes.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/April/05/auto_rakipi5-640x4791617651318.jpg)