Pak ditë para zgjedhjeve të 25 prillit, kryebashkiakët socialist duket se kanë zgjedhur që tenderat me shifra të kosniderueshme nga buxheti i shtetit t’ia japin njëri-tjetrit.
Bashkia e Tiranës, e drejtuar nga Erion Veliaj, nëpërmejt ndërmarrjes së Ujësjellës Kanalizimeve ka shpallur fituese të një procedure kompaninë Eurogjici Security, e themeluar nga kryebashkiaku i Kukësit, Safet Gjici.
Objekti i tenderit është “Shërbime të integruara dhe furnizim vendosje të pajisjeve elektronike” me fond limit 999.8 milionë lekë morën pjesë dy kompani.
Njëra prej tyre edhe pse u përfshi në garë nuk paraqiti as ofertë dhe as dokumenta duke i sjellë në mënyrë automatike skualifikimin.
Kështu i vetmi pjesëmarrës në garë dhe normalisht edhe fitues I procedurës mbeti bashkimi i operatorëve Eurogjici Security sh.p.k ,“ Global Security” sh.p.k , ”Everest” sh.p.k , ”PC Security” sh.p.k & ”Elektrosek” sh.p.k me ofertën 999,800,000 milionë lekë.
Kompania “Eurogjici Security” është krijuar në vitin 2003, nga Safet Gjici, i cili aktualisht është kryetar i Bashkisë së Kukësit, i zgjedhur në votimet e Qershorit të vitit 2019.
Sipas të dhënave në Qendrën Kombëtare të Biznesit, Gjici ka qenë në krye të kësaj kompanie deri në vitin 2014, kur u emërua prefekt i Qarkut të Kukësit.
Më pas kryebashkiaku i Kukësit ia dhuroi të gjithë aksionet e kompanisë vëllait të tij, Lavdrim Gjici, i cili vijon të jetë edhe aktualisht pronari i kompanisë private të sigurimit fizik.