Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve pranë KQZ ka hedhur poshtë kërkesën e subjektit politik Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, e cila synonte numëruesin e katërt në QNV (Qendrat e Numërimit të Votave).
Sipas PDIU, bazuar në rezultatet e zgjedhjeve të shkuara parlamentare, ky numërues i takonte pikërisht atyre, por kjo gjë është hedhur poshtë nga KAS në mbledhjen e kësaj mesdite.
“Bazuar në analizën e fakteve dhe provave, me shumicë votash, vendosi rrëzimin e kërkesës ankimore të paraqitur nga PDIU, ky vendim hyn në fuqi menjëherë. Për këtë vendim në rast kontenstimesh mund të bëhet ankesë në Kolegjin Zgjedhor, brenda pesë ditëve”, tha KAS.
Përfaqësuesit e LSI-së dhe PDIU-së u përplasën pak ditë më parë në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, lidhur me faktin se cilës prej partive i takon të ketë numëruesin e katërt të votave, në zgjedhjet e 25 Prillit.
PDIU, duke iu referuar rezultatit të zgjedhjeve të vitit 2017 pretendoi se numëruesi i katërt në grupet e numërimit të votave do duhet të ndahej me short me LSI-në pasi të dyja partitë janë forca opozitare.
Përfaqësuesi i LSI-së u shpreh kundër duke argumentuar se PDIU nuk ka listën e vet të kandidatëve në fletën e votimit sepse është nën siglën e PD.