Harxhi: Populli është i vetëtradhtuar, partitë e mëdha kanë humbur ideologjinë

Shqipëria

Harxhi: Populli është i vetëtradhtuar, partitë e mëdha kanë humbur ideologjinë

Më: 6 prill 2021 Në ora: 23:30
Edith Harxhi

Edith Harxhi, drejtore ekzekutive e “Albanian Policy Center” thotë se partitë e mëdha në Shqipëri “e kanë humbur nocionin ideologjik”.

Ajo tha se po të shohësh programet e tyre elektorale, mund të konfondohen fare lehtësisht. “E djathta flet për mirëqenie sociale, e majta flet për privatizime PPP”, u shpreh znj. Harxhi.

Drejtuesja e “Albanian Policy Center” shtoi më tej se faji për gjendjen demokratike në vend e kanë elitat politike por këto elita kanë dalë pikërisht nga populli ndërsa shtoi se elitat intelektuale nuk kanë qenë pjesë e zhvillimeve politike në vend.

“Populli është i vetë tradhtuar, po të shihni historinë e Shqipërisë prej 1912 deri në 1940 mund të kemi pasur 20 qeveri më pas kemi kaluar tek Zogu, më pas kemi kaluar tek Enver Hoxha, që ka qenë pjesë e këtij populli. Ajo elitë politike që u krijua nga 1941, ishte një klasë politike që erdhi pikërisht”, tha ajo.

Edith Harxhi përveç klasës politike, cilësoi të korruptuar edhe shoqërinë civile duke thënë se organizatat e para pas rrëzimit të sistemit totalitar u krijuan nga familjarë të drejtuesve të komunizmit.

“Shoqëria civile është po aq e korruptuar po sa partitë politike. Shoqëria civile që në vitet 1990 u krijua në mënyrë të deformuar. Kosova ka një shoqëri civile shumë më të konsoliduara se sa Shqipëria. Pjesa e madhe e OJF të krijuar në fillim të 1990-91 kanë qenë fëmijë, nipër apo mbesa të ish-anëtarëve të komitetit qendror, ata njerëz që kanë pasur më tepër afërsi me Perëndimin atë kohë”, përfundoi znj. Harxhi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat