Vizita e ministres së Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku në aeroportin e Rinasit, për shkak të protestës së punonjësve ishte pa rezultat.
Ministrja nuk arriti që t’i bindë punonjësit e “Albcontrol”, e cila është një shoqëri shtetërore në funksion të aeroportit, që t’i rikthehen punës.
Punonjësit kanë dalë në protestë për shkak se janë paguar vetëm 72% të pagave, ndërsa kërkojnë respektimin e kodit të punës, kushte që zbatoheshin edhe para pandemisë.
Sipas informacioneve, ata do të vijojnë edhe me lëvizje të tjera duke bllokuar edhe trafikun ajror.
Protesta e punonjësve të Aeroportit të Rinasit ka sjellë ndërprerjen e punës nga ora 9.23 deri në orën 09.55.
Dy fluturime janë prekur nga kjo, “Aegean Airline” me destinacion Athinë-Tiranë dhe Air Albania me destinacion Stamboll-Tiranë, që do të jetë me 40 minuta vonesë.
“Aegean Airline” është kthyer sërish në Athinë. Operimet kane rifilluar në 09.55 dhe “Aegean” pritet të riniset për të sjellë pasagjerët në Tiranë.
Njoftimi i plotë:
Sot, më 7 Prill 2021, nga ora 9.23 deri në ora 09.55, orë lokale, janë ndërprerë operimet në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, për shkak të mungesës së stafit në Agjencinë e Trafikut të Kontrollit Ajror. Dy fluturime janë prekur nga ky fakt, Aegean Airline me destinacion Athinë-Tiranë dhe Air Albania me destinacion Stamboll-Tiranë, që do të ketë 40 minuta vonesë. Aegean Airline është kthyer sërish në Athinë. Operimet kane rifilluar në 09.55 dhe Aegean pritet të riniset për të sjellë pasagjerët në Tiranë. Tirana International Airport.