Ka shkuar në 7 numri i kontrollorëve të shoqëruar në polici, pas pezullimit të fluturimeve në Rinas.
Mes të shoqëruarve edhe Muhni Mezini një nga kontrollorët e trafikut ajror, emri i të cilit u bë publik në lidhje me letrën që kishte firmosur duke e shpallur veten të paaftë për punë për shkak se ishte stresuar që kishte marrë para borxh te familjarët për të përballuar jetesën. Ai shkruante se ku borxh është marrë pasi pagesa e tij prej 14 muajsh ishte ulur për shkak të pandemisë.
Nga ana tjetër, më herët u raportua se Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka filluar hetimet për situatën e ndodhur në aeroportin e Rinasit.
Prokurororët po hetojnë pas kallëzimit që Albcontrol ka bërë ndaj disa emrave konkretë të kontrollorëve të trafikut ajror në Rinas që mendohet se nxitën grevën dhe bllokimin e punës në Rinas.
Vepra penale për të cilën po hetohet lidhet me "Shpërdorim Detyre", parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Prokuroria e Tiranës vijon hetimet në drejtim të evidentimit të rolit të secilit prej personave të përfshirë në këtë ngjarje.
Aeroporti i vetëm në Shqipëri prej mëngjesit të sotëm është në kaos total, pasi nuk mund të realizohet asnjë fluturim, si në hyrje dhe dalje, përpos atyre që kalojnë në hapësirën ajrore të vendit tonë. Kontrollorët e trafikut ajror të AlbControl kanë ndalur punën pas uljes së pagave nga 4400 dollarë në 2400 dollarë me argumentin se kanë stres.