Kamioni hyn në një tokë bujqësore në periferi të Laçit.
Ai po transporton inertet që kanë mbetur pas tërmetit të 26 nëntorit, ndërsa toka e bujqëve po përdoret për vendgrumbullim mbetjesh.
Banorët e zonës e konsiderojnë një krim të rëndë mjedisor këtë veprim që është bërë nga vetë Bashkia e Kurbinit.
”Këtu hidhen të gjitha mbeturinat e tërmetit. Të gjitha mbeturinat që sillen nga Bashkia Kurbin.”
”Toka e bukës bëhet për inerte. Mbajnë në rrugë plenat.”
Ata thonë se uji, dhe ambient janë ndotur tërësisht duke shkaktuar shumë probleme, ndërsa edhe rruga është shkatërruar.
”Bashkia Kurbin e ka mbjell tokën tonë. E ka ndotur gjithë ujin që ne pimë, në qytetin e Laçit nga mbeturinat të cilat i shikoni vetë sesi hidhen. Rruga e fshatit tonë është totalisht e dëmtuar nga automjetet të cilat i kanë sjellë mbeturinat në këtë vend, duke u dëmtuar totalisht rruga.”
E kanë ngritur shqetësimin edhe në bashkinë e Kurbinit e cila drejtohet nga Majlinda CARA por nuk kanë marrë kurrë një përgjgije.
”Kamionat e mëdhenj ne na kanë nxjerrë jashtë përdorimi. Ikena bo një shkresë edhe bashkisë, që me e rinovu, me e pastru dhe me e rregullu vendin. Po kena ra në vesh të shurdhën.”
Bashkia e Kurbinit është një ndër zonat më të prekura nga tërmeti i nëntorit, ndërsa Bashkia duket se ka zgjedhur që të pushtojë tokat bujqësore për të grumbulluar inerte.