Presidenti Ilir Meta e bën fakt dhe përmes një shkrese i kërkon SPAK nisjen e hetimeve mbi keqpërdorimin e të dhënave personale të qytetarëve Shqiptarë dhe të bazëssë të dhënave shtetërore nga Partia Socialiste.
Gjithashtu me këtë shkresë vë në dijeni dhe OSBE, ambasadën e SHBA-së dhe Britanisë.
“Përdorimi i të dhënave personale që administrohen nga një Regjistër Publik shtetëror, si ai i AKSH-it, është nga ngjarjet më të rënda që kanë ndodhur përgjatë kësaj fushate zgjedhore”.
“Çdo përdorim i këtyre të dhënave, qoftë dhe për të furnizuar baza të tjera të dhënash që krijohen nga një parti politike për qëllime të saj, është një cenim skandaloz i të dhënave personale të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, që veç të tjerave krijon terren për keqpëdorimin e tyre.” thuhet në shkresën e presidencës që mban emrin e sekretares së përgjithshme të Presidencës, Ornela Zonja
Presidenti i Republikës, i shqetësuar nga ky skandal i denocuar tashmë publikisht, i kërkon SPAK-ut, të nisë menjëherë hetimet, duke marrë pa vonesë masat e nevojshme për të administruar dhe sekuestruar jo vetëm provat që faktojnë këtë veprimtari të paligjshme, por edhe për të ruajtur dhe ndaluar abuzimin që kryhet me të dhënat personale të shtetasve, nga Partia Socialiste në këtë proces zgjedhor.
Të dhënat e publikuara, jo vetëm që evidentojnë një veprimtari të paligjshme, të konsumtuar në formë të organizuar, por nga ana tjetër, cenojnë rëndë integritetin dhe besimin e publikut në paanshmërinë e organeve kryesore të shtetit si SPAK, SHISH, etj. Kjo është një arsye më shumë, për nevojën urgjente që paraqet hetimi i këtij rasti.
Presidenti vlersëson se, në një situatë të tillë, nuk mjafton vetëm nisja e hetimeve për rastin konkret, por SPAK duhet që me veprime konkrete proaktive, të parandalojë dhe hetojë çdo lloj veprimtarie që cenon të drejtën për zgjedhje të lira e të ndershme, mbi të gjitha për të rikthyer edhe besimin e qytetarëve tek funksionimi i drejtësisë, pavarësia e saj, dhe ndëshkimi i shkelësve të përsëritur të ligjit” thuhet në shkresë.