Aktivistët në mbrojtje të kafshëve kanë reaguar ashpër ndaj deklaratave të Erion Veliajt, i cili pretendoi se kishte bashkëpunuar me disa prej tyre. Organizata “Katër Putrat” i ka cilësuar të turpshme pretendimet e Veliajt, duke pohuar se kanë vendosur ta ndjekin këtë çështje në rrugë ligjore.
Kjo deklaratë e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, u përgënjeshtrua menjëherë nga organizata “Katër putrat” përmes një emaili zyrtar të dërguar në adresë të “ARSA ALBANIA”.
“Dëshirojmë të bëjmë të ditur se FOUR PAWS aktualisht nuk bashkëpunon me bashkinë e Tiranës në lidhje me çështjen e kafshëve endacake.”
Avokatja, Adriana Kalaja, që po e ndjek në rrrugë ligjore këtë çështje e konsideroi deklaratën publike të Veliajt si të turpshme dhe manipuluese.
“Nuk është vetëm një deklaratë mashtruese, fiktive por dhe një deklaratë për të manipuluar opinionin publik. Jo vetëm që kryetari i bashkisë Tiranë nuk ka ofruar bashkëpunim por ka refuzuar në mënyrë të njëpasnjëshme të gjithë kërkesat tona në lidhje me marrjen e informacionit për të mos folur pastaj për kërkesa që janë më të avancuara.”
Kalaja nënvizoi edhe njëherë çështjen e tenderave me fondet për mbrojtjen e katër putroshëve.
“Jo vetëm është një shumë e konsiderueshme e fondeve të harxhuara për sterilizimin, janë gati 80 milion lekë të reja për këto tre vite por më e rëndësishme është se janë tenderuar fond sterilizimi për 10500 qen.”
Avokatja u shpreh besimplotë për zgjidhjen e çështjes nga organet e drejtësisë.
“Jemi besimplotë që SPAK do të zbardhë pyetjet tona.”
Rreth 80 organizata të ndryshme kanë reaguar pas protestave kundër dhunës e vrasjes së kafshëve, duke e dënuar këtë gjë.
Derisa kërkesat e tyre të marrin zgjidhje, aktivistët dhe shoqatat e ndryshme kanë paralajmëruar se do ti vazhdojnë protestat.