Rrahja e anëtarit të LSI-së në Poliçan. Skaneri: I dëmtuari ka pësuar frakturë në kokë

Shqipëria

Rrahja e anëtarit të LSI-së në Poliçan. Skaneri: I dëmtuari ka pësuar frakturë në kokë

Më: 22 prill 2021 Në ora: 07:20
Luan Tare

Një anëtar i LSI-së në Poliçan është rrahur mbrëmjen e së mërkurës nga 7 persona, pjesë e Partisë Socialiste.

Gazetarja Eneida Petova raporton për “Balkanweb” se Luan Tare (Pitikoja) ka qënë duke hyrë në pallatin e tij kur është goditur me sende të forta në kokë e trup nga nipi dhe vëllai i kryetarit të bashkisë Poliçan,Adriatik Zotkaj dhe 5 persona të tjerë.

Tare u dërgua në Qendrën Shëndetësore “Pëllumb Dollani” në Polican, ku mori mjekimin e parë, ndërkohë që gjendja e tij filloi të përkeqësohej. Familjaret e Tares kanë kërkuar trajtim dhe ekzaminim më të specializuar për shkak se i dëmtuari nuk ndihej mire dhe për këtë arsye kanë kërkuar transportimin e tij me ambulancë në Spitalin Rajonal Berat por mjekja Alma Caka nuk pranoi përdorimin e ambulancës për transportin e të dëmtuarit drejt qytetit të Beratit.

Mjekja Caka ka deklaruar se,pas ekzaminimit të bërë prej saj rezulton se,Tare ka marrë një hematomë të lehtë në krahun e majtë por nuk ka shembje të brendshme. Sipas Cakës,shenja që i dëmtuari kishte në kokë ishte një hematomë e lehtë përderisa pacienti orientohet në kohë dhe hapësirë dhe përderisa nuk ka të vjella.Mjekja Caka deklaroi se nuk e shikonte të arsyeshme ta niste Taren për në Spitalin Rajonal Berat por ta mbante në vëzhgim në Qendrën Shëndetësore në Poliçan.

Pas kësaj, familjarët e kanë nisur të afërmin e tyre me mjete private drejt Spitalit Rajonal Berat,ku pas skanerit të kryer në këtë spital ka rezultuar se i dëmtuari ka frakturë në kokë. Për këtë arsye mjekët e Spitalit Rajonal Berat e kanë transportuar 53-vjeçarin Luan Tare (Pitikoja) në Spitalin e Traumës në Tiranë.Vetë i dëmtuari Luan Tare (Pitikoja) ka deklaruar se është rrahur nga 7 persona të Partisë Socialiate,mes tyre edhe vëllai e nipi i kryebashkiakut të Poliçanit. Tare ka deklaruar gjithashtu se,ai është kërcënuar vazhdimisht gjatë 2-muajve të fundit nga anëtarët e Partisë Socialiste Poliçan për të hequr dore nga Lëvizja Socialiste për Integrim.

Efektivë të policisë kanë marrë deklaratën e plotë të Tares brenda ambjenteve të Qendrës Shëndetësore në Poliçan dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes,ndërkohë që ende nuk ka asnjë informacion zyrtar nga DPV Berat për ngjarjen.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat