Kandidati për deputet i LSI-së Përparim Spahiu e ka konsideruar dy herë skandal faktin që sipas tij “Rilindja është kapur me presh në duar duke vjedhur vota në Dibër dhe nuk pendohet”.
Spahiu e konsideroi si qëndrim qesharak atë të PS-së në Dibër, që deklaroi se ngjarja nuk ka lidhje me personin në fjalë Denis Xholi.
“Por, mafia nuk pranon kurrë që ka bërë krime. Ndaj, dhe Rilindasit në mënyrë groteske e hedhin kopilin në ferrë me argumentin “s’është i yni“”, ironizon Spahiu.
Në reagimin e mëhershëm të PS-së thuhej: “Pas verifikimeve të hollësishme ne konkluduam se personi në fjalë, punonjës në Bashkinë Bulqizë, nuk është pjesë e strukturave të PS. Ai është punësuar në vitin 2015 nga deputeti i LSI Përparim Spahiu, me të cilin ka edhe një lidhje krushqie”.
Deklarata e Përparim Spahiut
Rilindja e kapur me presh në duar duke vjedhur vota nuk pendohet!
Eshtë 2 herë skandaloz fakti i tentativës për blerje votash në Maqellarë nga drejtori juridik i Bashkisë Bulqizë që u kap me lekë e fletë votimi në makinë.
Skandali i parë është që rasti i Maqellarës ku blerësi i votave tani gjendet nën arrest, tregon mentalitetin grabitës dhe manipulues të Rilindjes. Ata nuk heqin dorë nga vjedhja e votës!
Skandali i dytë është qëndrimi qesharak i PS Dibër, që në vend se të kërkojë ndjesë për turpin e madh, pretendon se nuk ka lidhje me personin në fjalë, Denis Xholi.
Zotëria është përfaqësues i PS, blinte vota për PS, është funksionar në bashkinë e drejtuar nga PS. Ai është ndaluar në një akt kurajoz të qytetarëve të Maqellarës. Ai është kapur me presh në dorë! Ndaj gjendet i arrestuar!
Por, mafia nuk pranon kurrë që ka bërë krime.
Ndaj, dhe Rilindasit në mënyrë groteske e hedhin kopilin në ferrë me argumentin “s’është i yni”.
Populli është në këmbë!
Asnjë tentativë kriminale për blerje votash nuk do të tolerohet!
Mos i hidhni benzinë zjarrit. Lërini qytetarët e Dibrës dhe gjithë Shqipërisë të votojnë të lirë!
Ndryshimi i madh po troket, jemi gati!