Kandidati për deputet për Partinë Demorkatike, Oerd Bylykbashi, ka ftuar shqiptarët që të votojnë forcën e tij politike në zgjedhjet e 25 prillit.
I ftuar në edicionin e lajmeve të Ora News, ka komentuar dhe ngjarjet që kanë ndodhur ditët e fundit, duke thënë se kryeministri Edi Rama do të marrë pushtetin me çdo kusht dhe sipas tij element kryesor ka shitblerjen e votës.
"Ishte një fushatë e jashtëzakonshme. Ishte fushatë që nuk krahasohet për shumë vite. Kemi parë te njerëzit shpresë. Njerëzit kërkojnë ndryshim. Basha ka përçuar një mesazh shprese. Ftojmë shqiptarët të votojnë më 25 prill, për ndryshimin e tyre.
Rama nuk ndryshoi asgjë nga skema e tij e kapjes së pushtetit me çdo kusht, element kryesor ka shitblerjen e votës. Ata kanë vazhduar edhe ditët e fundit. Prezenca e krimit të organizuar në fushatë rrotull Ramës në terren për t'u blerë vota dhe për t'u marrë njerëzve kartat e identitetit, dhe e gjitha kjo për të bindur qytetarët që të mos votojnë. Njerëzit kërkojnë ndryshim. Pavarësisht se Rama do të përpiqet të blejë votën, pjesëmarrja në votim është vaksina më e mirë për këtë epidemi që ka groposur shqiptarët për 8 vjet. Askush nuk është në gjendje të blejë shqiptarët."
Me tej ai ka thënë se zgjedhjet e 25 prillit do të jenë një test për fatin e shqiptarëve pasi sipas tij do të hapet rruga drejt Bashkimit Evropian.
"Këto zgjedhje do të jenë test i madh për fatin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Shiptarët e kanë provuar në vitet 2005 deri në vitin 2013. I ofruam statusin e vendit kandidat. U bëmë anëtarë të NATO-së, shiptarët kishin më shumë para në duar të tyre. Të rinjtë shpresonin në një shkollim më të mirë. Kjo është rruga që bllokoi Edi Rama për 8 vjet. Ne po i ofrojmë shqiptarëve rrugën për Bashkimin Evropian. Do funksionojnë balancat, pra jo një pushtet vetëm në duart e një personi, do të ketë marrëveshje dhe qeveria do të respektojë Kushtetutën dhe ligjet. Do të bëjë të mundur që të çojë para drejtësisë ata që janë pjesë e krimit.
I pyetur në lidhje me ftesën e Ramës që i ka bërë Bashës për bashkëqeverisje, tha se kreu i qeverisë e ka kuptuar që ka humbur.
"Kërkoi bashkëpunim kur e kuptoi që do humbasë, përgjigjen e ka marrë në fushata. Shumë socialist janë zhgënjyer nga ai. Ka socialist të ndershëm."