Kryeministri Edi Rama ka folur për ngjarjen në Maqellarë, ku strukturat për mbrojtjen e votës në PD ndaluan një makinë, që pretendonin se i përkiste socialistëve dhe do shpërndanin para për blerjen e votave.
Rama tha se kjo çështje është në hetim dhe askush nuk mund të thotë nëse ky personi po blinte vota, ndërsa shtoi se ky person në 2015 është punësuar nga deputeti i LSI-së, Përparim Saphiu, me të cilin janë edhe krushq. Rama tha se LSI është partia që blerjen e votës e ka në strukturën organizuese të saj, ndërsa shtoi se LSi dhe PD janë në luftë për Dibrën.
Sulo: Çfarë ishte incidenti i Maqellarës?
Rama: Sot kam më shumë informacion, ka bërë deklaratë dhe shtabi elektoral i Dibrës. Fakti që ka njerëz që punojnë nëpër bashkira janë shumë, por ne asnjëherë nuk jemi sjellë dhe sidomos pas zgjedhjeve të 2019 me fshesë në dorë. Shtabi e ka sqaruar se personi nuk ka lidhje me strukturat e PS dhe aktivitetet e PS. Në 2015 është punësuar nga deputeti i LSI, Përparim Spahiu dhe është një krushk. Së treti, nuk do të thotë se ka qenë duke blerë vota për LSI. Po të bëheshin hetimet dhe gjyqet me kaq pak, nuk do kishte nevojë për prokurori dhe gjykatë. Mund të mbajë posterat e dikujt tjetër dhe të bëjë punën e dikujt tjetër.
Sulo: Kishte lista të një fshati.
Rama: Çfarë do të thotë?
Sulo: U nisën të blejnë vota.
Rama: Nuk flet dot politikisht duke thënë se janë fakte. E para nuk më kërkon dot përgjegjësi edhe sikur të jetë si thua ti sepse edhe nëse ka individë të caktuar, ata nuk kanë asnjë lloj trajtimi të ndryshëm dhe për mua ata individë e kanë vendin në burg. Ai person nuk ka lidhje me strukturat e PS. Edhe unë mund të marr posterat e kandidatit të kundërshtarit dhe të bëjë punën e tjetrit. Është nën hetim, është ndaluar.
Çfarë do gjëje që të ishin duke bërë këta është një problem shumë më i vogël sesa dalja e grupeve paramilitare për të ndaluar njerëz rrugëve për t’i kërkuar se ku po shkojnë, apo se ça kanë. Të duket Shqipëria sikur kanë ardhur fiset hutu, tuci, zulu. Kjo është e paimagjinueshme. Kjo çështje është në hetim dhe askush nuk mund të thotë nëse ky personi po blinte vota, apo se po i blinte për LSI-në apo për kandidatin ë ju përmendët. Një gjë është e sigurtë që nëse ka një parti në Shqipëri që blerjen e votës e ka mekanizëm organizativ është LSI. LSI nuk merr dot deputet në Dibër dhe LSI dhe PD janë në luftë. Sepse çdo votë që LSI e merr andej i ulet PD-së këtej. Rezultati do të jetë 3-2 për PS-në.